Pas rasteve të shumta të raportuara në Britani e më tej në Spanjë e Portugali, raste të infektimit nga Lija e Majmunëve janë raportuar edhe në Itali.

Në spitalin Spallanzani në Romë është raportuar rasti i parë i infektimit me këtë sëmundje.
Pacienti është paraqitur me urgjencë në spital, ndërkohë që nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga një udhëtim nga Ishujt Kanarie.

“ ISS ka ngritur një task-forcë të përbërë nga ekspertë të sektorit dhe ka kontaktuar rrjetet të qendrave të infeksioneve seksualisht të transmetueshme me qëllim monitorimin e vazhdueshëm të situatës kombëtare”, thuhet në një shënim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në lidhje me rastet e lisë së majmunëve.

Spitali sqaron se pacienti momentalisht ndodhet i shtruar i izoluar në kushte të rregullta dhe po vijojnë hetimet epidemiologjike dhe gjurmimet e kontaktit. Dy raste të tjera të dyshuara të lisë së majmunëve po hetohen nga mjekët në spitalin e Spallanzanit. Këtë e ka bërë të ditur vetë spitali, duke nënvizuar se për momentin tre rastet e konstatuara dhe rastet e tjera të ndodhura në vendet e tjera të Europës dhe në Amerikën e Veriut, nuk tregojnë shenja serioze klinike.

Transmetimi i virusit

Sipas spitalit, transmetimi mund të ndodhë përmes pikave të pështymës dhe kontaktit me lëngje biologjike të infektuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të monitorojë nga afër situatën që ndryshon me shpejtësi. Kështu ka deklaruar vetë OBSH-ja në lidhje me rastet e raportuara me lisë së majmunëve, duke filluar nga fillimi i majit, në Britaninë e Madhe, Spanjë dhe SHBA. Aktualisht, OBSH nuk rekomandon asnjë kufizim në udhëtimet dhe tregtinë me MB bazuar në informacionin e disponueshëm në këtë kohë. Autoritetet shëndetësore të Massachusetts gjithashtu konfirmoi një rast të lisë së majmunit në një burrë i cili kohët e fundit udhëtoi në Kanada pasi Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportuan se po monitoronin përhapjen e mundshme të kësaj sëmundjeje virale të rrallë, por potencialisht serioze.