Kryeministri Edi Rama përcolli mbrëmjen e sotme pamje mahnitëse nga Laguna e Karavastasë, një peizazh i mbrojtur që fton turist♪7t dhe dashamirët e natyrës.

“Laguna e Karavastasë në Divjakë, oazi shqiptar që veç natyrës magjepsëse, shquhet edhe për florën e për faunën e rrallë, e ku falë moratoriumit të gjuetisë si edhe investimeve e mirëmenaxhimit të Parkut Kombëtar, sot është bërë një destinacion gjithnjë e më i vizituar”, u shpreh Rama.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.