Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel vijuan agjendën e kësaj dite me vizitën në Muzeun Historik Kombëtar, për të parë ecurinë restaurimit të Mozaikut “Shqipëria”, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Mozaiku, i ndërtuar në vitin 1981, vepër e një grupi artistësh shqiptarë po restaurohet në kuadër të programit EU 4 Culture, UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti foli për projektin e restaurimit të Mozaikut, zbatimi i të cilit shtrihet edhe më gjerë sesa fasada ku ai është vendosur.

Ministrja tha se interesi për të vizituar Muzeun Kombëtar, do të shtohet me përfundimin e restaurimit. “Muzeu Historik Kombëtar është një ndër muzeumet më të vizituara në Shqipëri. Përpara pandemisë kishim më shumë se 100 mijë vizitorë në vit. Synojmë të kemi shumë më tepër me zbatimin e restaurimit të këtij objekti. Ka qënë një nga objektet më të dëmtuara nga tërmeti dhe me financimet e BE kemi nisur me restaurimin e Mozaikut.” – u shpreh Ministrja Margariti, ndërsa theksoi se mbështetja e marrë përmes programit Eu4Culture, është ndër financimet më bujare në ndihmë të trashëgimisë kulturore.
“Mozaiku një nga veprat më kryesore po restaurohet në pjesët më të dëmtuara. Ky është objekti i parë që kemi nisur me programin EU4 Culture. Është mbështetja më bujare që kemi patur pas tërmetit për trashëgiminë kulturore, më shumë se 40 milionë euro për rreth 30 objekte, zona që do të rindërtohen. Po punojmë gjithashtu edhe për zbatimin e restaurimit tërësor të të gjithë muzeut sepse qysh prej 1981 asgjë nuk ka ndryshuar, përveç disa riparimeve të vogla, gjithashtu edhe ministria e kulturës ëhstë përpjekur për këtë. Këtu kemi të gjithë stafin e dedikuar të UNOPS-it, të huaj dhe shqiptarë. UNOP-s është agjencia ekzekutive për zbatimin e EU 4 Culture. Është realitet i ri dhe për ta sepse nuk kanë punuar asnjëherë me projektet kulturore.
Këtu po punohet me copëzat e mozaikut. Ka më shumë se 120 ngjyra të ndryshme që janë identifikuar. Gjithsecila prej tyre copëz pas copëze dhe historia e veçantë është që kemi identifikuar edhe fabrikën ku janë marrë në vitin 1981 në Venecia dhe jemi në kontakt me të njëjtën fabrikë që po e riprodhojnë. Pra është një tjetër bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Europës, në këtë rast Italisë. Kjo është vepra më e madhe ku po kryejmë këtë ndërhyrje dhe është plot me simbole të socializmit apo fund socializmit por sa i përket pjesës artistike është një nga projektet më të mira në Shqipëri.”– shpjegoi ministrja Margariti.

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel ecën përgjatë sheshit Skënderbej, për të cilin Kryeministri Rama tregoi se është transformuar në një infrastrukturë moderne për qytetarët “E kemi transformuar sheshin Skenderbej. Gjithë gjelbërimi që është vendosur këtu përreth, është projektuar në mënyrë të veçantë. Rrethimi me bimësi të gjelbër nuk ekzistonte më parë. Sheshi ka një pjerrtësi që ne e ribëmë sepse ishte ndryshe më parë. Është riorientuar trafiku dhe lëvizja e mjeteve, ka ndrydhuar komplet koncepti.” – u shpreh Kryeministri.