Pas fitores së Interit ndaj Empolit, me pasojë parakalimin në renditje, Milani është thirrur t’iu përgjigjet zikaltërve për të rifituar vendin e parë në ndeshjen e komplikuar jashtë fushe, në Verona. Stefano Pioli prezantoi përballjen me verdheblutë e Tudorit në konferencën për shtyp:

“Do të ishte mirë të përballemi edhe një herë në një ndeshje me kaq shumë tifozë të Milanit. Ata po transmetojnë entuziazëm të madh te skuadra. Çfarë jave ishte? Që para Lazios e në vazhdim, të gjitha ndeshjet kanë pasur dhe do të kenë një peshë të rëndësishme për klasifikimin, ndaj ishte një javë si të tjerat. Ne do të përballemi me një ekip që po kalon një sezon të mrekullueshëm, që mund të na vërë në vështirësi. Është koha e duhur për të treguar se jo vetëm jemi të mirë, por se mund të jemi më të mirët”.

Ajo kundër Veronës, megjithatë, sipas Piolit është ndeshja më e vështirë e sezonit: “E dimë shumë mirë se ne dhe Verona jemi ndër skuadrat që shënojnë më shumë gola në fillim të ndeshjes. Pra, duhet të jetë e duhura qasja ndaj ndeshjes. Çfarë iu kërkoj lojtarëve të mi tani? Të dominojnë ndeshjet. Verona do të bëjë gjithçka për të na mposhtur, sepse po përmbyll një kampionat të jashtëzakonshëm dhe po përballet me një ekip të rëndësishëm. Është ndeshja më e vështirë”.

A ndikon të luash pas Interit? Piolit nuk i intereson, dje preferoi diçka tjetër dhe të mos e shikonte Inter-Empoli: “Të gjithë e dimë se çfarë na mungon. Na mungojnë 7 pikë për të fituar dhe për të bërë diçka të jashtëzakonshme. Ne kemi qenë të mirë, sepse kemi surprizuar gjithmonë kur shanset na tregonin si humbës. Të luajmë pas Interit? Nuk më intereson, sepse e dimë se çfarë duam. Nuk e pashë Inter-Empoli. Kam ndjekur stërvitjen time dhe më pas një ndeshje tenisi”.

Është folur shumë edhe për situatën e arbitrimit. Trajneri i kuqezinjve ka idenë e tij: “Gabimet e gjyqtarëve në luftën e titullit? Gjithçka që ne mund të kontrollojmë është Milani; performancën, qëndrimet, cilësinë tonë. Pastaj ka nga ata që duhet të bëjnë zgjedhjet e tyre dhe ne do t’i respektojmë”.

Fokusimi te klima në dhomat e zhveshjes. Milani, sipas asaj që na tregon Pioli, është gati: “Nuk i shoh djemtë e mi në tension. Mendova se duhej të isha këtu çdo ditë në Milanello për t’i qetësuar dhe në vend të kësaj ata janë të gjithë të koncentruar, të qetë dhe të buzëqeshur, të lumtur.

Unë shoh qasjen e duhur për momentin. Lexojnë nëpër media “Milani para më të keqes”… Nuk na pëlqeu, por as na intereson. Jemi shumë të koncentruar për t’u shpërqendruar nga këto gjëra. Pastaj, meqë ka ende njerëz në këtë botë që kritikojnë Ancelottin, të gjitha lejohen”.