Shifrat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se janë mbi 200 raste aktive me Covid-19 në rang kombëtar. 5 qytetarë janë të shtruar në spital.

Ursina Hajdini, mjeke familjeje: 225 raste aktive në gjithë vendin, padiskutim që mund të jenë të lidhur edhe me lirimin e masave anticovid që nga 1 Maji. Është një shifër në rritje, që duhet të jetë në vëmendjen e të gjithëve, pasi mund të jetë një tregues për fillimin e një vale të re të Covid-19.

Vetëm gjatë kësaj jave në qendrën tonë shëndetësore u testuan 45 qytetarë dhe rezultuan pozitivë me Covid vetëm 4 pacientë.

Rastet aktive që kemi pasur kanë qenë ose pacientë të pavaksinuar ose pacientë, që nuk e kanë kaluar Covidin në rrugë natyrale, apo që nuk kanë kryer dozën e radhës të vaksinës, ndaj kjo duhet të jetë një thirrje për të gjithë ata pacientë, se tani është një moment shumë i mirë për t’u vaksinuar duke qenë se akoma shifrat janë të kontrolluara dhe kontakti me persona pozitivë mund të jetë më i pakët. Është moment i duhur që të vijnë ose për të kryer dozën e radhës ose për t’u vaksinuar për ata që nuk kanë kryer asnjë vaksinë deri tani.

Në qendrën tonë ka filluar javën e kaluar vaksinimi me dozën e katërt për të gjitha kategoritë e rrezikuara, pra për pacientët mbi 60 vjeç dhe çdo pacient mbi 12 vjeç që ka problem me sistemin imunitar apo i rrezikuar për të kaluar një formë të rëndë të Covid.

Mund të ketë edhe rastet të pacientëve, që duke kaluar kaq shumë kohë pandemi, tashmë edhe nëse rezultojnë Covid pozitiv, kryejnë testin privatisht dhe zgjedhin për t’u mjekuar vetë në shtëpi. Por ne nuk e këshillojmë këtë gjë dhe i rekomandojmë që të drejtohen tek mjeku, si për ndjekjen e gjithë ecurisë së sëmundjes ashtu edhe për përcaktimin e mjekimit.