Nga Jakin Marena

Një president po largohet, ndërsa një tjetër po diskutohet që të startojë mandatin 5 vjeçar më 24 korrik të këtij viti. Pikërisht kur Ilir Meta të largohet pa kthim nga Presidenca.

Mazhoranca socialiste dhe vetë kreu i saj Edi Rama e kanë bërë të qartë se në zyrën e kreut të shtetit nuk do të hyjë me votat e saj kurrë më një individ apo politikan që të ketë qoftë dhe një element të përbashkët me parardhësin e tij. Pra do të gjendet një emër jashtë politikës për t’i dhënë Shqipërisë një President normal.

Domethënë i kundërti i Ilir Metës, kreut të shtetit i cili ia ka ulur nivelin përtokë Presidencës, me anësinë e tij politike, më shumë se sa një kryetar partie dhe me shkeljet kushtetuese që sipas mazhorancës duhej të merrnin si ndëshkim shkarkimin e menjëhershëm të tij nga posti, por që sipas Gjykatës Kushtetuese ishin shkelje jo aq të rënda sa të bëhej presidenti i parë që nxirrej me vendim gjykate nga zyra e Presidencës.

Për të mos u zgjatur në këtë pikë, pasi palët politike, përjashtuar Berishën e abandonuar nga Rama dhe mazhoranca por i vetëofruar për negociata, kanë filluar bisedimet për gjetjen e Presidentit të ri, i cili me sa duket do të jetë jashtë politikës, po kthehemi tek argumenti ynë.

Ajo që duam të evidentojmë është fenomeni “Ilir Meta”, i cili largimin nga Presidenca më 24 korrik, rikthimin e tij në krye të LSI një ditë më pas më 25 korrik, nuk e quan dalje spektakolare nga një ‘derë’ për të rihyrë sërish në mënyrë zyrtare në ‘derën’ tjetër, atë të politikës aktive.