Analisti Lorenc Vangjeli ka bërë dy ditë më parë një paralajmërim të fortë në studion e “ABC Live” përballë gazetares Sibora Bitri. Duke iu referuar sistemit të drejtësisë Vangjeli tha se shumë shpejt do të “ndodhin gjëra të mëdha”.
“Disa persona që i shohim në ekran, do t’i shohim sërish në ekran, por kësaj here me kokën e ulur dhe duart ndoshta prapa,” tha Vangjeli, fjalë të cilat duket se u vërtetuan sot me goditjen e 8 grupeve kriminale nga SPAK.

“Në Tiranë ka frikë, ka shumë frikë. Dhe do të ndodhin gjëra, sa i përket veprimit të drejtësisë. Me konkretisht, do ta shohim ditë pas dite dhe frikë nuhatet në ajër,” u shpreh ai në fund t intervistës, deklaratë që mund ta dëgjoni në minutën 22 të videos.

Prokuroria e Posaçme ka firmosur sot 32 arreste për personazhe të njohur të botës së krimit, si dhe ka ekzekutuar 18 prej tyre, mes të cilëve edhe shefi i Krimeve në Lezhë, Leonard Palushi, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, i implikuar me anëtarë të grupeve.

Kreu i SPAK Arben Kraja tha se bëhet fjalë për 18 procedime te nisura më herët që janë kryer nga 8 grupe kriminale që operonin në Tiranë Elbasan, Durrës dhe Lezhë. “Drejtuesit e grupeve paguanin vlera të larta monetare për ekzekutimin e kundërshtarëve,” u shpreh Kraja.
“Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”,” tha Gledis Nano.

Nuk është hera e parë që analistit Vangjelit i dalin parashikimet që ai bën. Kujtojmë rastin e djegies së mandateve nga ana opozitës të cilën ai kishte paralajmëruar më herët që do sillte pasoja të rënda për opozitën, marrëveshjen e kryeministrit të Kosovës Abdulla Hoti dhe Presidentit serb Vucic në Shtëpinë e Bardhë dhe të tjera zhvillime politike që ai ka parashikuar dhe më pas kanë ndodhur.