Fondi i Ballkanit Perëndimor shpall zyrtarisht të hapur thirrjen për projekte për subjektet nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi).
Aplikimi do të qëndrojë i hapur për 50 ditë, me afatin përfundimtar të caktuar për datën 8 korrik 2022. Për të përfituar grante deri në 15.000 Euro, aplikantët duhet të regjistrohen në portalin e dedikuar të aplikimeve, i aksesueshëm në faqen zyrtare të “Western Balkans Fund” si dhe faqen zyrtare të projektit.
Kjo është thirrja e pestë që prej themelimit të Fondit në 2017-n dhe e dyta që përfiton një mbështetje të rëndësishme nga ana e Bashkimit Europian, i cili bashkëfinancon këtë skemë rajonale grantesh përmes fondeve IPA.
Përgjatë kohëzgjatjes së thirrjes, stafi i Fondit do të nisë një seri prej 12 seancash informuese, nga dy për çdo palë kontraktuese, që do të pasohen nga gjashtë seanca të mentorshipit online. Në Shqipëri, dy seancat informuese do të zhvillohet në Tiranë dhe në Shkodër. Axhenda e tyre e plotë do të publikohet në fillim të javës pasardhëse.
Gjatë thirrjes së fundit, 750 organizata të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera të lejuara paraqitën 207 projekte, nga të cilët u mbështetën financiarisht 30 prej tyre, bazuar në një sistem vlerësimi që merr parasysh impaktin në nxitjen e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.