Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka mirëpritur në ambientet e ministrisë një grup prej 24 nxënësish nga Turqia, të moshës 9 deri 13 vjeç.

Në kuadër të këtij aktiviteti për “Forcimin e Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, i mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, vizituan Shqipërinë edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe të Këshillit të Evropës.

“Së bashku me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve dhe Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” mirëpritëm në MAS një grup me nxënës dhe mësues nga shkollat turke, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për një vizitë studimore të mbështetur nga Këshilli i Evropës,” – shkruan ministrja Kushi.

Në këtë takim u diskutua rreth rëndësisë që ka mbrojtja e mjedisit dhe për forcimin e edukimit qytetar e demokratik.

Znj. Kushi shkëmbime të tilla përvojash mes nxënësve i konsideron mjaft të dobishme, pasi ndihmojnë në promovimin e gjithëpërfshirjes, qytetarisë, barazisë dhe paqes.