Fondi Monetar Ndërkombëtar, kundërshton tërheqjen e një pjese të kursimeve të pensioneve në Kosovë, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të ishte një goditje e rëndë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Në një deklaratë të këtij fondi thuhet se tërheqja e një pjese të kursimeve do të shkurtonte fuqishëm vlerën reale të pensioneve në të ardhmen.

“Tërheqjet do të përktheheshin gjithashtu në një tkurrje të madhe të tregjeve vendase të kapitalit, duke rrezikuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në deklaratë.

Kërkesa për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga skemat e pensioneve është shndërruar në debate të ashpra ndërmjet opozitës që e sheh atë si mbështetje financiare për shkak të rritjes së çmimeve dhe qeverisë që kundërshton një mundësi të tillë.

Fondi i Kursimeve të Pensioneve të Kosovës apo i njohur shkurt si Trusti është institucion publik i pavarur, i themeluar nga parlamenti i Kosovës, në vitin 2001. Ky institucion menaxhon kontributet e detyrueshme dhe vullnetare të pensioneve të të punësuarve në Kosovë. Me ligj, çdo qytetar mund t’i tërheq paratë pas pensionimit në moshën 65 vjeçare.