Teksa ka mbetur më pak se një javë nga finalja e UEFA Conference League, Roma-Feyenoord, që do të luhet në stadiumin “Air Albania” , më 25 maj ora 21:00, duket se çdo gjë është gati për të përjetuar një festë të vërtetë sportive.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se gjithçka është gati në kryeqytetin shqiptar për të pritur finalen e parë dhe historike të një kupe europiane në vendin tonë.

Ai theksoi se organizimi i kësaj finaleje ka shumë rëndësi për imazhin e kryeqytetit.

“Është një moment shumë i rëndësishëm, sepse tanimë, Tirana siç është edhe Kryeqytet i Rinisë Europiane për vitin 2022, ka filluar aktivitetet e shumta në kuadër të këtij viti. Nga ana tjetër është sezoni turistik në vazhdim, që pritet të ketë kulmimin e tij. Por krahas kësaj i shtohet dhe ky event, i cili është hera e parë që zhvillohet në Tiranë dhe ka rëndësinë e tij, për sa i përket si mbarëvajtjes por edhe promovimit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, tha Seferi për ATSH.

Ky u shpreh Seferi, “është një event, i cili nuk bën ndarje institucionale, por është shumë e rëndësishme që përpos atyre 90 minutave në fushë, 90 orët e tjera, pra një ditë përpara, 24, 25 dhe 26, institucionet duhet të bashkërendojnë veprimet e tyre, në mënyrë që çdo gjë të shkojë perfekt”.

Seferi theksoi se, Tirana do të ketë një fluks të shtuar gjatë kësaj sfide dhe për këtë janë marrë masa të shumta.

“Tirana do të ketë një fluks të shtuar. Madje do të thosha që nuk është vetëm nga aeroporti “Nënë Tereza”, por janë nga të gjitha pikat kufitare tokësore dhe detare, që pritet të kenë një fluks të shtuar. Për këtë arsye po merren masa, të cilat janë shumë dinamike për sa i përket organizimit final për pritjen e tifozerive, për pritjen e personave, turistëve që do të ndjekin këtë event, duke filluar me aeroportin “Nënë Tereza”, ku nga ky aeroport do të bëhet shoqërimi i të gjithë personave nëpërmjet autobusësh që janë vënë pa pagesë”, u shpreh nënkryetari i bashkisë.

Seferi u shpreh se, është menduar që Tirana të ketë 3 “fan zone”.

“Fan zone” e parë do të jetë për klubin e Romës, ku tifozeria do të vendoset në pjesën e amfiteatrit të Liqenit, pjesa e Digës, por me qendër tek “Amfiteatri” dhe tek “Vëllezërit Frashëri”, tek sheshi aty. Duke vendosur mjetet, duke parkuar mjetet tek rruga e Kosovarëve, nëpërmjet një sinjalistike provizore do të bëhet boshatisja me ditë përpara. Ajo do të jetë “Fan Zona” e parë”, tha ai.

“”Fan zone” e dytë do të jetë e tifozerisë së Feyenoord-it. Holandezët do të vijnë dhe do të shoqërohen në vendet ku do të vihen ekranet e mëdha pranë “Pedonales” dhe hapësirës së qendrës “Toptani”. Mjetet do të parkohen përgjatë Lanës, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, në mënyrë që të bëjmë të mundur ndjekjen”, theksoi ai.

“Ndërsa “Fan zone” më e madhe do të jetë ajo e Sheshit “Skënderbej”, ku do të përfshijë, sportdashës, qytetarë, turistë që do të ndjekin këtë ndeshje”, nënvizoi Seferi.

Nga ana tjetër, shtoi nënkryetari i bashkisë, “është menduar, ashtu sikurse tanimë është shpallur që data 25 të jetë një ditë pa makina, për të bërë të mundur një lëvizshmëri sa më normale të të gjithë personave që do të vijnë. Në këtë pikë edhe Bulevardi do të jetë një hapësirë e lirë, ku do të bëjë të mundur ndërlidhjen e të tre “Fan Zone”-ve me stadiumin për të ndjekur ndeshjen, ose edhe për të kryer aktivitete.

Seferi theksoi se, tifozët e skuadrave nuk do të kenë kontakte me njëra-tjetrën, pasi “është menduar që ato do të jenë në dy pole të veçanta të qytetit për të eliminuar kontaktin mes tyre”.

Sa i përket akomodimit të tifozëve, Seferi tha se, “nga të gjitha informacionet që kemi edhe nëpërmjet, qoftë burimeve zyrtare, por edhe nëpërmjet shoqatave turistike që merren më në mënyrë ekskluzive me vendosjen, janë vendosur një pjesë në Durrës, në Elbasan dhe po punohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që mjetet e tyre të mos pengohen, por të vijnë në Tiranë. Pra për t’i grupuar në vende që të kenë aksesueshmëri shumë normale për të ardhur në qendër të Tiranës”.

Sa i përket pjesës së ezaurimit të hoteleve ose dhomave, Seferi u shpreh se, “ky është një event i madh dhe ashtu siç ndodh dhe në shumë vende, kryeqytete europiane, qytete europiane dhe botërore, kur janë finale me këto përmasa, kemi parë që edhe qytete shumë më të fuqishme prapë kanë ato problematikat që neve po mundohemi t’i sheshojmë sa më shumë të jetë e mundur”.

Për menaxhimin e qarkullimit dhe lëvizjes, por edhe sigurinë përgjatë orëve përpara kësaj finaleje, Seferi, u shpreh se, “pjesa e menaxhimit është diçka dinamike, që edhe në bashkëpunim me UEFA-n dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit me institucione të tjera me bashkinë, me policinë bashkiake. Merren masa në mënyrë që të krijohen korridore, të cilat të bëjnë të mundur jo bllokimin, por stacionimin e përkohshëm të mjeteve. Ashtu sikurse do të ndodhë edhe me aeroportin “Nënë Tereza”, ku avionët, të cilët do të shoqërojnë tifozerinë, turistët, qytetarët e huaj që do të vijnë për të parë ndeshjen, nuk do të stacionohen në aeroportin e Rinasit, por në aeroportet fqinje. Që aty pastaj do të jetë një parking i madh i mjeteve që do të shoqërojnë tifozerinë”.

Seferi dha edhe një mesazh për qytetarët e Tiranës për këtë finale.

“Mesazhi kryesor është për qytetarët e Tiranës. Unë do të doja t’i bëja thirrje që në këtë ditë feste sportive të solidarizohen me mbarëvajtjen funksionale të këtij aktiviteti, duke qenë tolerantë, ashtu siç ka ndodhur përherë në këto evente artistike, kulturore që janë zhvilluar në Tiranë. Duke i ardhur në ndihmë edhe të huajve të cilët mund të humbin pikën e referimit, siç ndodh. Dhe t’i bashkohen këtij eventi të rrallë, të vetmit që është zhvilluar në Tiranë”, u shpreh Seferi.