Turqia i ka njoftuar vendet aleate se do të refuzojë anëtarësimin në NATO të Suedisë dhe Finlandës, bëri të ditur sot përmes një video në Twitter, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht të mërkurën për t’iu bashkuar aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, një vendim që u nxit nga sulmi i Rusisë në Ukrainë. Kundërshtimet e Turqisë kanë befasuar vendet e tjera anëtare.

“Do ta vazhdojmë politikën tonë në një mënyrë të vendosur. U kemi thënë aleatëve se do t’i themi jo anëtarësimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë”, tha zoti Erdogan gjatë një interviste në orët e vona të së mërkurës.

Presidenti turk tha se Suedia dhe Finlanda strehojnë dhe financojnë “terroristë” dhe i furnizojnë ata edhe me armë, duke përsëritur kështu akuzat e Ankarasë se këto vende mbështesin grupime, që Turqia i konsideron terroriste, më konkretisht grupin militant Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si dhe partinë YPG të kurdëve të Sirisë, që gjithashtu e konsideron si grupim terrorist me lidhje të ngushta me PKK-në.

“NATO është aleancë sigurie dhe nuk mund të pranojmë terroristë në radhët e saj”, tha zoti Erdogan.