Robert Lewandowksi e ka ndarë mendjen për tu larguar nga Bayern Munich pas tetë viteve qëndrim në Allianz Arena.

Spekulimeve të ditëve të fundit në mediat e ndryshme evropiane se Lewa ka kërkuar largimin nga Bayerni i ka konfirmuar edhe drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic.

Drejtori boshnjak i bavarezëve ka konfirmuar pas sfidës me Wolfsburgun se polaku i ka kërkuar klubit që të largohet në afatin kalimtar veror.

Megjithatë qëndrimi i Bayernit mbetet i njëjtë, pasi klubi dëshiron ta respektojë kontratën me të, kontratë e cila skadon në verën e vitit 2023.

“Kam folur me Lewandowskin dhe gjatë bisedës me të më ka informuar që nuk do të pranojë ofertën tonë për të zgjatur kontratën”.

“Ai ka dëshirë të largohet nga klubi dhe të provojë një eksperiencë të re jashtë Gjermanisë. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Robert ka një kontratë deri në 2023 dhe duam ta mbajmë”, tha Salihamidzic.

Boshnjaku u pyet nëse ka një ofertë nga Barcelona për sulmuesin e tyre. “Jo deri më tani nuk ka”, u shpreh drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamidzic.

33-vjeçari ka pasur një vit fantastik me Bayernin, ku në 46 ndeshje zyrtare ka shënuar 50 gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë.

E ardhmja e tij duket se do të jetë në La Liga, pasi Barcelona mbetet skuadra favorite për të transferuar polakun.