Tiranë, 20 Maj – Në Ditën Kombëtare në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve në Shqipëri. Në fjalën e saj përshëndetëse, Manastirliu tha se rezultatet në ndihmë të fëmijëve pa kujdes prindëror janë të prekshme, duke përmendur këtu ligjin “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës”, ku 11 fëmijë tashmë kanë marrë statusin e veçantë.

“Ligji në Përkujdese të Fëmijëve të Republikës i garanton çdo fëmijë mbështetje me pagën më të lartë të prindit që nuk jeton më, por nga ana tjetër nuk garanton vetëm mbështetje financiare por garanton mbështetje në arsimim dhe aftësim professional, garanton mbështetje përtej moshësh 18 vjeç, deri në moshën 25 vjeç për të gjithë ato nevoja që fëmija ka për tu rritur për të dal në jetë dhe për tu integruar në shoqëri. Unë jam krenare sot të them që në fazën e parë të të gjithë kësaj perpjekje të madhe për bërjen realitet të kësaj nisme të madhe që tashmë është ligj dhe për zbatimin e këtij ligji janë 11 fëmijë që përfitojnë këtë status dhe janë vendosur në Përkujdesje të Republikës”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka përmendur një tjetër program në mbështetje të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe familjeve në nevojë siç është rritja e masës së ndihmës ekonomike.

“Një ndër tjetër programet që unë jam krenare sot të them, por që kemi ende shumë për të bërë është programi i mbështetjes të ndihmës ekonomike. Tre herë është rritur përgjatë këtij viti, pra me buxhetin për vitin 2022, mbështetja për fëmijët pa kujdes prindëror, pjesë e skemës të asistencës sociale. Dhe është dyfishuar mbështetja e asistencës sociale për familjet të cilat kanë më shumë se tre femijë”, tha Manastirliu.

Duke i’u referuar Këshillimit Kombëtar, Manastirliu bëri me dije së në përgjie të asaj çfarë qytetarët kanë shprehur, po punohet për një paketë mbështetëse për familjet dhe nënat që kanë më shumë se tre fëmijë.

“Këshillimi Kombëtar dhe nëpërmjet tij ka vendosur pikërisht njerëzit që kanë kthyer përgjigjie, pyetjeve që Këshillimi Kombëtar ka drejtuar; një pyetje e cila me të vërtetë përkthehet në një program dhe po punohet për një paketë që me të vërtetë do të jetë mbështetje për familjet dhe nënat, është pikërisht mbrojtja e veçantë që do t’i garantohet nënave me mbi tre fëmijë”, tha Manastirliu.
Duke u shprehur se integrimi i fëmijëve pa kujdes prindëror është në fokus të politikave të qeverisë dhe të ministrisë, Manastirliu tha se krahas mbështetjes financiare po punohet paralelisht për aftësimin profesional për të nxitur jetesën e pavarur.

“Nëse ne do të duam që të zhvillojmë akoma më shumë politikat tona, nuk ka sesi të veprojmë vetëm në një drejtim, pra në drejtim të mbështetjes financiare. Por ajo është e nevojshme në raport me zhvillimin e fëmijës dhe paralelisht jemi duke punuar për aftësimin profesional dhe për të gjithë mbështetjen në raport më punësimin dhe jetesën e pavarur. Ndaj integrimi i fëmijëve të cilat kanë nevoja të veçanta, të cilët janë pa kujdes prindëror do të vijojnë të mbeten në fokus të politikave tona” tha në mbyllje të fjalës së saj ministrja Manastirliu.