Për herë të parë në historinë e tij, kryeqyteti shqiptar do të presë një finale evropiane futbolli dhe Bashkia e Tiranës është përgatitur me të gjitha detajet që kërkon në ngjarje e tillë. Në prag të ndeshjes Roma-Feyenoord më 25 maj, kryebashkiaku Erion Veliaj dha disa porosi të fundit për grupin koordinues, që po merret me organizimin, si dhe disa këshilla për qytetarët e Tiranës, duke qenë se ajo ditë do të jetë pa makina.

Veliaj e cilësoi finalen e Conference League si një mundësi fantastike për të prodhuar kartolinën më të bukur të qytetit dhe vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ai u kërkoi qytetarëve nga rrethet që, nëse kanë një udhëtim të planifikuar drejt Tiranës, ta shtyjnë atë për një ditë tjetër. “Qyteti do të zbatojë të njëjtin protokoll që ka zbatuar edhe gjatë vizitës së Presidentit Bush apo Papa Françeskut, prandaj ju lutem, nëse nuk keni një biletë për të qenë në stadium, mos ejani në Tiranë, shtyjeni për një ditë tjetër, pasi nuk do të kaloni në asnjë prej disa kontrolleve të policisë, as në akset hyrëse të qytetit”, porositi ai.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos e përdorin automjetin atë ditë, por të qarkullojnë në këmbë ose me biçikletë, teksa shtoi se transporti publik do të funksionojë. “Ftesa ime për qytetarët e Tiranës është të lëvizim sa më shumë në këmbë. Kam nevojë për mirëkuptimin tuaj, na duhet ndihma e gjithsecilit. Transporti publik do të funksionojë, por mund të përdorim edhe biçikletat. Nëse dikush ka dëshirë të tregohet i dobishëm atë ditë, thjesht të mos e nxjerrë makinën”, tha kreu i Bashkisë.

Lidhur me sigurinë publike, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe policinë Bashkiake, ka marrë të gjithë masat e nevojshme. “Janë zhvilluar takime edhe me ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore dhe Policinë Bashkiake, por edhe me një ushtri me vullnetarë, të cilët kanë marrë përsipër të jenë edhe stjuardë, por edhe të lehtësojnë qarkullimin në qytet, për dikë që ka nevojë për shpjegime orientuese. Propozimi ynë është që ne t’i kalojmë të gjitha trupat në terren, sidomos në ato 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin dhe shmangur ndonjë incident”, shtoi Veliaj.