Veprimet e Rusisë në Ukrainë ofrojnë prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Moska po nxit gjenocid dhe po kryen mizori që synojnë të shkatërrojnë popullin ukrainas, sipas raportit të parë të pavarur mbi akuzat për gjenocid në atë vend.

Raporti ligjor, i nënshkruar nga më shumë se 30 studiues të njohur juridikë dhe ekspertë të gjenocidit, akuzon shtetin rus për shkeljen e disa neneve të Konventës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin. Ai paralajmëron se ekziston një rrezik serioz dhe i afërt i gjenocidit në Ukrainë, duke i mbështetur akuzat me një listë të gjatë provash, duke përfshirë shembuj të vrasjeve masive të civilëve, dëbimeve të detyruara dhe retorikës dehumanizuese anti-ukrainase të përdorur nga zyrtarët e lartë rusë.

Raporti u përpilua nga New Lines Institute for Strategy and Policy, një institut me bazë në SHBA dhe Qendra Raoul Wallenberg për të Drejtat e Njeriut me bazë në Kanada, dhe do të publikohet të premten, me autorët duke dërguar kopje në parlament, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare në mbarë botën.

Një kopje paraprake e raportit është ndarë ekskluzivisht me CNN.