Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të organizojë një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë në Evropë do të jetë në krye të agjendës në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Pjesëmarrja në darkën në Bruksel e kanë konfirmuar: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden në vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit do të zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.