Nënkoloneli Denys Prokopenko i Regjimentit Azov, një njësi e Forcave të Armatosura të Ukrainës që ka mbrojtur fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin jugor të Mariupolit, ka postuar një video në mediat sociale pasi qeveria në Kiev njoftoi se po i jepte fund mbrojtjes së saj, shkruan BBC.

Rusia thotë se rreth 2000 ushtarë janë dorëzuar- një shifër e ngjashme me vlerësimet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

“Dita 86 e mbrojtjes së Mariupolit. Udhëheqja e lartë ushtarake ka dhënë urdhër për të shpëtuar jetët e ushtarëve dhe për të ruajtur mirëqenien e ushtarakëve të garnizonit dhe për të mbrojtur qytetin.

Pavarësisht luftimeve të ashpra, rrethimit dhe mungesës së furnizimit, ne vazhduam të përsërisnim tre kushtet më të rëndësishme për ne. Përkatësisht, të evakuohen civilët, të plagosurit dhe ata që janë vrarë në aksion.

Ne arritëm të evakuonim civilët, të plagosurit morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ata arritën që të evakuoheshin.

Ndërsa për ata heronj të rënë, procesi është në vazhdim.

Dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt të afërmit t’i varrosin me nder.

Lavdi Ukrainës”, përfundoi nënkoloneli.

Një nga trupat ukrainase që kishte mbrojtur strehën e fundit të qytetit të rrethuar, postoi një seri fotografish të fabrikës së çelikut të shkatërruar në mediat sociale ndërsa largohej nga vendi.

“Epo, kjo është e gjitha”, shkroi ushtaraku ukrainas Dmytro Kozatskyi pasi u largua nga uzina. “Faleminderit për strehën, Azovstal është vendi i vdekjes dhe jetës sime”, shtoi ai.

Më herët, autoritetet ruse thanë se rreth 2,000 ushtarë ukrainas u dorëzuan në Azovstal dhe besohet se janë dërguar në zonat e kontrolluara nga Rusia.