Rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së është komentuar edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një intervistë me gazetaren Nisida Tufa në Neës 24, Veliaj i krahason zhvillimet në selinë blu me ato të një tribuje, ndërsa vetë Berishën e cilëson një “xhenaze të pakallur”.

“I ngjan atyre rasteve ekstreme me fise dhe tribu të largëta, që nuk e varrosin xhenazen, por e mbajnë në shtëpi. Ajo parti ka zgjedhur që ta mbajë aty një xhenaze politike. Duket shumë e çuditshme, por një njeri “non grata”, që nuk përfaqëson të ardhmen, që mori në qafë gjyshërit tanë, prindërit tanë, gjeneratën tonë, tani do të mbajë peng edhe fëmijët e tu dhe djalin tim? Katër gjenerata do t’i okupojë ky njeri? Ajo parti ka vendosur që xhenazet politike t’i mbajë aty dhe të mos ndahet prej tyre. Është zgjedhja e tyre. Bota njeh histori tribush, që bëjnë gjëra nga më të çuditshmet. Për sa kohë ata duan të mbajnë një specie të pakallur aty, është problemi i tyre. Për zgjedhjet e ardhshme të bashkisë shpresoj që të kemi një kundërshtar, se herën e fundit nuk kishim fare. D.m.th ata po shkojnë nga shiu në breshër. Luli ishte një mavri me bojë, se nuk vinte fare në zgjedhje, kurse këta sjellin për alternativë të njëjtën alternativë që e kishte Enveri në vitet ’80; gjyshërit e panë në tranzicionin nga komunizmi, prindërit tanë e panë kur humbën lekët në piramida, ne të dy e pamë në vitet 2000 dhe gjithë ato historitë me 21 janarin”, tha Veliaj.