Nga Eduard Zaloshnja

Aksidenti i frikshëm ku një familje u dëmtua rëndë tek po kalonte në vijat e bardha ishte një lajm tronditës, që i bëri aksidentet rrugore temë të disa debateve televizive. Dhe lajmet ditore janë të mbushura me njoftime aksidentesh të rënda rrugore, duke krijuar opinionin në publik se ne kemi një problem me sigurinë rrugore. (vjet, mesatarisht patëm 1 vdekje rrugore në çdo 2 ditë).

Në fakt ne e kemi një problem në Shqipëri me aksidentet rrugore, por ky problem është shumë më i vogël se një dekadë më parë…

Në vitin 2012, plot 334 shqiptarë humbën jetën nga aksidentet rrugore, ndërkohë që vetëm 394 mijë automjete aktive ishin të regjistruara. Ndërsa vjet humbën jetën vetëm 197 shqiptarë nga aksidentet rrugore, ndërkohë që plot 741 mijë automjete aktive ishin të regjistruara.

Në katërmujorin e parë të këtij viti (janar-prill) ka vazhduar trendi ulës i vdekjeve, ndërkohë që ka vazhduar trendi rritës i automjeteve aktive. Bazuar në këtë trend, mund të bëhet projeksioni që vdekjet për 12 muaj do të jenë rreth 168 dhe automjetet aktive të regjistruara do të jenë rreth 803 mijë. Me fjalë të tjera, automjetet janë dyfishuar në dekadën e fundit, ndërkohë që vdekjet rrugore janë përgjysmuar (shihni grafikun shoqërues).

Këto trende bëjnë që indeksi i vdekshmërisë rrugore të ketë pësuar një rënie dramatike. Kështu, në vitin 2012 patëm 85 vdekje rrugore për 100 mijë automjete aktive. Vjet patëm 27 vdekje rrugore për 100 mijë automjete aktive, dhe këtë vit pritet të kemi vetëm 21 vdekje rrugore për 100 mijë automjete aktive.

Ky indeks nuk merr parasysh dhjetra mijra automjetet me targa të huaj që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë, sidomos në verë. Po të llogariteshin edhe ato, si dhe ditët mesatare që qarkullon një automjet i tillë në Shqipëri, indeksi i vdekshmërisë rrugore do të rezultonte edhe më i ulët.

Nuk egzistojnë të dhëna të hollësishme për të analizuar këtë rënie dramatike të vdekshmërisë rrugore por disa zhvillime tregojnë qartazi që kanë ndikuar në të.

Së pari, rritja e cilësisë së rrugëve në përgjithësi dhe shtimi i karexhatave mbrojtëse anësore në veçanti, sidomos në kthesa të forta apo rrugë malore.

Së dyti, rritja e përdorimit të rripit të sigurisë nga drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët, si rezultat i ndëshkimit rigoroz të policisë rrugore ndaj mospërdoruesve të rripit (një person pa rripin e sigurisë në një aksident të rëndë e ka mesatarisht probabilitetin e vdekjes sa dyfishin e një personi me rripin e sigurisë).

Së treti, është ulur numri i drejtuesve të mjeteve në gjendje të dehur, si rezultat rezultat i ndëshkimit rigoroz të policisë rrugore ndaj drejtuesve të tillë (një drejtues mjeti i dehur e ka mesatarisht probabilitetin e shkaktimit të një aksidenti të rëndë sa trefishi i një drejtuesi esëll).

Së katërti, është shtuar ndjeshëm puna e policisë rrugore për displinimin e trafikut gjatë sezonit veror, kur ai shtohet ndjeshëm si nga turistët e brendshëm edhe nga ata që vijnë me automjete nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, etj.

SHËNIM: Problemin më të madh me vdekshmërinë rrugore ne e kemi me kalimtarët në zonat urbane – pothuaj gjysma e të vdekurve nga aksidentet rrugore urbane janë kalimtarë. Sidoqoftë, kjo është një temë më vete, për një shkrim tjetër.