Nga Jakin Marena

Sali Berisha është shfaqur sot një anti-rus i tërbuar, duke kërkuar madje dhe dëbimin e ambasasdorit të Rusisë nga Shqipëria, si një masë drastike në mbështetje sipas tij, të popullit ukrainas, që po vuan nga agresioni i Putin.

Teksa i ka bërë thirrje qeverisë së Edi Ramës që të nisë nisë një përplasje diplomatike me Rusinë, Berisha ka deklaruar adhpër para mediave që “të anulohen vizat për çdo qytetar rus që do të hyjë në Shqipëri, kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana e tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska. Zvogëlimin në makimum të të gjitha marrëdhenieve me Rusinë”.

Dhe si për ta mbyllur “detyrën” e tij në shërbim të popullit të Ukrainës, pavarësisht se presidenti Zelensky në lidhje të drejtëpërdrejtë me Parlamentin shqiptar vlerësoi popullin shqiptar si dhe qeverinë e saj për ndihmën e dhënë dhe solidaritetin e treguar, Berisha iu rikthye “zejes” së tij të preferuar, sulmit ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Ajo që na turpëroi sot është qëndrimi i dyzyar i Edi Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar. Në njërën anë votohej për dënimin e tij në Këshillin e Sigurimit, nga ana tjetër promovohet ideja ruso-serbe e Ballkanit të Hapur që i hap rrugë hegjenomisë serbe, influencës ruse në rajon. Shpallja e ftesës së Edi Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni, vrasës, përdhunues…pasi kryejnë masakra të vijnë e të dynden në plazhet tona për të marrë veten. Kjo ishte fyerje e rëndë për Shqipërinë”, deklaroi Berisha para mediave. Tepër i sigurtë që sikurse është përcjellë gjithherë fjala e tij në linjë direkte përmes mediave në Moskë, edhe këtë radhë acarimi i tij në këtë cep të humbur të perandorisë do të shkonte i “freskët” në Rusi.

Në Shqipëri ka disa shpjegime në lidhje me ashpërsinë e Berishës apo kujtdo qoftë në të tilla raste, duke i bashkangjitur dhe epitetin “më katolik se Papa”. Berisha sa herë është në hall e luan rëndë kartën e nacionalizmit, dhe i duket sikur gjen qetësi pas këtij opsioni. Nuk është kot shprehja se “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.

Por ka dhe raste kur fajtori kërkon të mbulojë maskarallëkun me aplitudën e ngritjes së zërit, obsesionin ndaj elementit ndaj të cilit ndjehet inferior, dhe vetëm duke u shprehur i ashpër kundër tij, kërkon që të heqë dyshimin ndaj vetes.

Disa nga miqtë e mi ‘akuzonin’ analistin nga Kosova Baton Haxhiu se e kishte acaruar në kulm Sali Berishën, duke e rikthyer ditën e sotme në një “bishë” anti-ruse, për të treguar se nuk ka asnjë lidhje, madje me asgjë të “armiqve sllavë të shqiptarëve”.

Megjithatë, kthimi Berishës “përmbys” ditën e sotme, kur dhe vetë kryeministri Edi Rama njoftoi Presidentin ukrainas Zelensy se të gjitha palët në Shqipëri janë në një mendje, dhe në mbështetje të popullit heroik të Ukrainës që po lufton për mbrojtjen e vendit nga agresioni rus, ka ardhur përpos “genit” të tij të kundërshtimit dhe për shkak se i përmendën Milicën.

Milica për të gjithë ata që nuk e dinë ka qënë vjehrra e Sali Berishës, nëna e Liri Berishës dhe pavarësisht se në shqip quhej Vera, kjo nuk e ka penguar atë që dhe vajzës së saj Lirie si emër pagëzimi t’i vendosë emrin serb Sllobodanka.

Dhe përmendja e këtij emri nga analisti nga Kosova, të shoqëruar dhe me shpjegimin se njerëzit e Milicës kanë qënë njerëzit më të afërt të krerëve të regjimit të atëhershëm në Jugosllavi dhe veçanërisht të involuar fort në shërbimin sekret serb, e ka tërbuar Berishën. Ish kryeministri e di fort mirë se shqiptari e ka problem ku e merr gruan, pasi do t’i lindin fëmijët në vatër, të cilët në masën më të madhe perceptimin e kanë se ngjajnë nga e ëma.

“Njerëzit që sheh në vatrën e gruas së ardhshme, përllogariti se do të lindin ty në vatër”, kanë pas thënë të moçmit tanë në Shqipëri. Pa hyrë në shumë detaje, gjaku serb që rrjedh në damarët e pasardhësve të Berishës, është kthyer në një makth të vërtetë për Sali Berishën. Aq sa dhe të shformohet në një politikan shumë të egër, publikisht të paktën kundër tyre.

Për hir të së vërtetës, në një vend normal, me një politikë normale nuk ka asgjë të keqe që një shqiptar të martohet me një serbe, ruse, apo të çdo lloj kombi apo shteti tjetër. Përkundrazi kjo do të merrej dhe si një anë pozitive që kontribuon fort në lidhjen mes kombeve dhe popujve, mund të shërbejë dhe për arritjen e marrëveshjeve nga më të pamundura për llogari të bashkëjetesës së kombeve. Jo rastësisht princërit shqiptarë dhe anasjelltas preferonin lidhjen e krushqive me familjet e përmendura dhe udhëheqëse të kombeve të tjera, përfshirë dhe atyre serbë. Kishte dhe martesa strategjike dhe politike që i shërbenin devotshmërisht të dyja kombeve për të jetuar në paqe, harmoni dhe marrëdhënie të shkëlqyera të ndërsjella.

Por në rastin e Berishës kjo krijon hije dyshimi, dyshim i cili rritet sëbashku me tonalitetin e rritjes së zërit nga ana e tij. Nëse mbron diçka me forcë, për shqiptarin përbën dyshim.

Në këto 30 vite post-komunizëm në sjelljen politike të Berishës karshi serbëve dhe rusëve ka pasur disa koncidenca shumë të çuditshme, të cilat po i përmendim sa më shkurt që të mos u marrin kohë lexuesve.

Berisha që me hipjen në krye të PD në shkurt të vitit 1991, si “lëndë të parë” për sulmet ndaj regjimit të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia përdori tradhëtinë ndaj Kosovës, shitjen e saj tek Serbia, masakrën e Tivarit dhe akuza të tjera si këto. Madje ngriti dhe gjithë makinerinë e tij propagandistike mbi këtë bazë.

Por në realitet Berisha president i asaj kohe ishte udhëheqësi që përndoqi më shumë pjesëtarët e lëvizjes për çlirim të Kosovës, ku ka akuza të forta se ka rrëmbyer dhe vrarë përmes SHIK-ut të Gazidedes veprimtarin e shquar Remzi Hoxha, i burgosur veprimtarët që nga Adem Jashari e deri tek Hashim Thaçi, duke i survejuar, dëbuar e deri lëshuar në pritë sapo shkelnin në Kosovë, dhe duke i bërë “ushqim” të genocidit serb. Kjo është pamja e parë, sipas akuzave ndaj tij.

Nga ana tjetër Sali Berisha është akuzuar botërisht për thyerjen e embargos së vendosur nga OKB ndaj Milosheviçit, duke e furnizuar nga viti 1993 deri më 1995 makinën luftarake serbe me naftë, nënprodukte të saj, me armë, aq sa më se njëherë u bë pjesë e raporteve të OKB që e akuzonin botërisht dhe zyrtarisht për një gjë të tillë.

Madje Berisha ngriti dhe firmën “Shqiponja”, biznes i PD ky, që drejtonte gjithë këtë trafik dhe thyerje embargoje, duke furnizuar Milosheviçin me naftë. Asokohe e mohoi, pastaj me daljen e librit të numrit dy të Ish Jugosllavisë Momir Bulatoviç që tregoi negociatat me Berishën për furnizimin me naftë të Beogradit, ish Presidenti shqiptar e pranoi me gjysmë zëri një gjë të tillë. Por me argumentin se nuk mund të linte fushat e Kosovës pa mbjellë, pasi sipas tij nafta shkonte në Kosovë. Asnjë mendje normale nuk e beson një gjë të tillë, që Milosheviçi të hiqte naftën nga makineria e tij luftarake që po përgatitej dhe më pas gjakosi Kosovën, për të mbjellë arat e Kosovës. Berisha akuzohet se takoi dhe Milosheviçin e Arkanin në Shën Naum e Shkodër.

Berisha “vulën” ia vuri me shkatërrimin e shtetit nga themelet në mars 1997 ku për pak e futi vendin në luftë civile, pikërisht në kulmin e organizimit të luftës së armatosur të UÇK, të cilën e shpalli ashtu sikurse Beogradi, organizatë terroriste dhe marksiste.

Madje bëri thirrje për të mos firmosur marrëveshjen e Rambujese, duke e quajtur tradhëti kombëtare, pavarësisht se ishte pikërisht kjo marrëveshje ajo që i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s dhe më pas çlirimit të Kosovës.

Dhe për më tepër me ardhjen e tij në pushtet për herë të dytë, mikun, këshilltarin dhe “bankën” e pastrimit të parave kishte as më pak dhe as më shumë por serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, që e bëri familjen Berisha me lekë, prona dhe rilidhi “fijet” me ish shërbimin sekret serb. Berisha e ka pranuar vetë në mes të parlamentit se Fazlliçin e ka mik dhe mund ta sjellë në Kuvend, ndonëse kërkohej nga drejtësia shqiptare por mbrohej nga badigardët e Berishës. Në këtë “sektor” ka pasur akuza dhe nga ana e aleatit aktual politik, Ilir Meta. Pjesa tjetër është histori, të cilën Berisha është munduar ta mbulojë përmes deklaratave të ashpra ndaj serbëve e rusëve.

Ndaj i djeg shumë sa herë që i përmendin Milicën, vjehrrën e tij serbe, ndërkohë që koncidencat e ndodhura gjatë jetës së tij politike në krye të vendit ose jo, janë shumë e shumë më të rënda se sa një krushqi, kanë qënë kryekëput kundër Kosovës e Shqipërisë dhe kjo s’mund të mbulohet asgjë me ashpërsim deklarativ ndaj Beogradit. Krushqia është gjëja më normale, është turp t’ia përmendë njeri këtë fakt jo vetëm Berishës por askujt tjetër. Nëse do të ishte thjeshtë dhe vetëm krushqi, pa u shoqëruar me koncidencat e çuditshme që përmendëm më sipër.

Fakti i dytë i ashpërsimit të gjuhës së Berishës ndaj Rusisë, është për shkak se sa kohë ka qënë kryeministër i vendit është akuzuar fort se ka mbështetur politikat ruse. Nuk po themi hapur, por thjeshtë dhe vetëm nëpërmjet shërbimeve të ‘koduara’ apo më saktë, për atë që ka pasur dhe ka më shumë nevojë Putini, informacionin e klasifikuar dhe të ‘dorës së parë’.

Ishte kthyer në proverbiale akuza e organeve të Sigurisë së NATO-s të para vitit 2013 për rrjedhjen e informacionit të Aleancës drejt vendeve jo mike dhe armike të saj. Dhe gishti është treguar ndaj përfaqësuesve shqiptarë, duke i akuzuar për rrjedhje informacioni në drejtim të Serbisë, Rusisë, Iranit, si dhe disa prej vendeve arabike.

Aq e komplikuar ishte situata, sa përfaqësuesit shqiptarë, kur diskutoheshin çështje sekrete në takimet e Aleancës, nxirreshin jashtë takimit. Ka qënë një rast i pangjarë më parë, por që me Shqipërinë është ndjekur pikërisht ky standard. Për vite me radhë, përfaqësuesit e Shqipërisë kanë qëndruar pas dere, pa pasur asnjë akses në raportet normale sekrete të Aleancës. Kjo ka ngrënë shumë kohë dhe nerva që të rivendosej sërish besimi i ndëresjllë mes palëve dhe ky raport u quajt i tejkaluar me ardhjen e qeverisjes së në vitin 2013 të Shqipërisë.

Megjithatë, situata e pas vitit 2013, ka pasur koincidenca e çuditshme të destabilizimit të situatës politike në Shqipëri sa herë që rusët kanë qënë në hall, përcjellja live e protestave të atëhershme të opozitës së PD, nuk është se e çlirojnë Berishën nga akuzat se sjelljen politike e ka pro-ruse, pavarësisht deklaratave të ashpra kundër saj. Fundja, përdor çfarëdo fjalori të duash kundër dikujt, ai mjaftohet me shërbimin që i kryen. Dhe Berisha akuzohet se ka shërbyer mirë. Ka shërbyer aq shumë ndaj Rusisë sa ka sjellë dhe shqetësimin e organeve ligjzbatuese amerikane, që para tre vitesh, paralajmëronin rrezikun e ardhjes së një pro-rusi në krye të qeverisë shqiptare.

Ka qënë ish-n/drejtori i FBI, Mark Rossini ai i cili ka nënvizuar në vitin 2019, në kulmin e përplasjes së PD me qeverinë, pas djegies së mandateve dhe dhunimit të institucioneve se: “Nëse Berisha rikthet në pushtet, Putin do kontrolloje Shqipërinë e Kosovën”. Një paralajmërim i fortë ky i ardhur ardhur në adresë të shqiptarëve, por edhe si kujtesë e rëndësishme, e adresuar ndaj SHBA-BE në atë kohë, lidhur me protestën e opozitës dhe objektivin e PD-LSI, për të nxitur e mundësuar zgjedhjeve të parakohëshme, me qëllim marrjen e pushtetit të përbashkët.

Sipas ish-n/drejtorit të FBI, Mark Rossini, kjo protestë, po zhvillohet nën nxitjen dhe kontrollin e plotë të opozitës dhe me ndikim të fortë rus, në çdo element e skemë të saj, të cilat po zbatohen nga kupolat drejtuese të PD-LSI. Ish-zyrtari i lartë i shërbimit inteligjent amerikan, Rossini, ka shkruar në Twitter mesazhin: “Sali Berisha e ka humbur fuqinë, dhe nëse merr sërish pushtetin, Vladimir Putin do të ketë mundësinë, të kontrollojë Shqipërinë dhe Kosovën”.

Një mesazh i qartë që tregon qasjen pro-ruse të Berishës, pavarësisht gjuhës së ashpër që përdor sa herë është në hall, ndaj Rusisë e Putin. Dhe pastaj sot pyetet pse u shpall Berisha “non grata”.

Prandaj përdorimin e gjuhës së ashpër nga Berisha ditën e sotme pas fjalimit të Zelevskyt direkt në Parlamentin shqiptar, askush të mos e shohë si një luftë reale ndaj të keqes Putin. Përkundrazi, thirrja për dëbimin e ambasadorit rus, duke e ditur qartë se qeveria shqiptare vepron vetëm në unison dhe konform vendimeve të aleatëve tanë në NATO, është një përpjekje e zellshme e Berishës për të destabilizuar situatën në Shqipëri e Ballkan, dhe për t’i dhënë një “dorë” Putinit që të shpërndajë vëmendjen nga Ukraina. Këto thirrje janë të lidhura dhe me përpjekjet për destabilizim në Kosovë dhe Bosnje. Janë të lidhura gjërat, nuk mund të diskutohet mbi atë që duket në pamje të parë. Janë më të thella punët, dhe Berisha është “skile” e vjetër. Që në kohën e bashkëpunimit, sikurse akuzon Taulant Balla, me UDB-në.