Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, tha se “vijueshmëria e reformave në tregjet e kapitalit janë një hap i rëndësishëm në forcimin stabilitetit financiar dhe të ekonomisë së vendit.

I pranishëm në konferencën ndërkombëtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ahmetaj theksoi se, “sistemi bankar është shumë inovator sot, është shumë rezistent, por ende ka mundësi zhvillimi”.

“Ne jemi sot në një kohë kur kemi kaluar tre kriza kryesore. Zakonisht kemi tendencë ta harrojmë, por tërmeti e tronditi këtë vend, humbëm jetë, prona e asete. Ajo që kemi bërë së bashku na ka bërë ta kalojmë këtë krizë me sukses dhe ka gjysëm milioni shqiptarë që janë prekur nga tërmeti dhe mbi 15 mijë familje që do të kenë shtëpi të reja dhe nuk ka një vend tjetër që ka një program të tillë rindërtimi” , tha Ahmetaj.

Ai theksoi se, “kriza tjetër është pandemia”.

“Ne nuk i kemi këto absorbuesit e shokut që kanë ekonomitë e tjera. Por prapë falë reformave në sistemin financiar, falë ristrukturimit të kredive të këqija që ishin në 20% dhe u ulën në 5% ne ia dolëm dhe gjatë pandemisë patëm mundësinë të dalim me disa instrumente që quhen instrumente mirëmbajtje. Në fund të 2021 ishim gati me rritje ekonomike 4% dhe e nisëm 2022 me ëndrra të mëdha. Por sot kemi edhe një krizë tjetër të bërë nga njerëzit dhe duhet ta kalojmë dhe këtë. Mendoj se do të na duhen vite që të rifitojmë momentin që kishim pasur më parë dhe që e humbëm për shkak të pushtimit rus në Ukrainë”, deklaroi Ahmetaj, ndërsa theksoi se “sfida më e madhe është të vazhdojmë me reformat, një vend si i yni ka nevojë të panegociueshëm për reforma të vazhdueshme”.

“Besoj se nuk duhet ta lëmë thjeshtë një strategji por ta miratojmë në Parlament sepse është shtyllë e ekonomisë, është një risi për Shqipërinë, ne bëjmë sikur kemi tregjet e kapitaleve por në fakt nuk i kemi. Është koha që të mbështeten një apo dy kompani, me qëllim për në vitet në vijim të jenë gati për t’u hedhur në tregjet e kapitalit”, deklaroi Ahmetaj.

Ai u shpreh se, sistemi bankar është likuid, por ne në strategjinë tonë duhet të vendosim një plan veprimi.

“Kemi folur me ministren e Financave që të përgatisim në vitet e ardhshme një apo dy kompani që të jenë gati të hyjnë në tregjet e kapitalit, t’i japim pak siguri të gjithë aktorëve. Duhet ta miratojmë në Parlament sepse është përgjegjësi ndaj qytetarëve por dhe ideve dhe brezave të ardhshme”, tha Ahmetaj, ndërsa vuri në dukje se, “Qeveria duhet të ketë aksione, 5% 10% a 12%, se di, por është mirë që qeveria të jetë pjesë e kësaj burse dhe së bashku me aktorët e tregut të kapitalit dhe digjitalizimin do të hedhin hapa zhvillimi në ekonominë tonë”.