Nga Ylli Pata/

Reforma e në Drejtësi që u miratua në 2016-n, si bazë të saj kishte dy shtylla që do të mbanin ndërtesën e re: vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve, i cili do të monitorohet edhe nga Ndërkombëtarët, si dhe SPAK-Prokuroria Speciale.

Një institucion që ka të atashuar edhe gjykatat homologe speciale, që janë ngritur nga përvoja e mëhershme e Prokurorive e Gjykatave të Krimeve të Rënda.

Pra përveç krimin e organizuar, SPAK ka si bazë të sajën zyrtarët e lartë të shtetit, përkatësisht klasën politike.

E nisur pikërisht nga objekti i punës që është ngritur SPAK, presioni nga subjektet që ai institucion ndjek, është krejt logjikshëm i pritshëm.

Nëse ndonjë prokuror special ka menduar se nuk do të punonte nën stress, presion, apo edhe shantazhe, nuk e ka kuptuar realisht përshkrimin e punës.

Deri tani, ne kemi një pjesë të politikës në vend, që është Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe mbështetësit e tyre, të cilët e konsiderojnë SPAK një “vegël të Ramës”. Megjithatë, edhe pse e quan “ramaformë” reformën në drejtësi, ishte Ilir Meta që nëpërmjet Monika Kryemadhit dërgoi materialet në SPAK kundër Lefter Kokës e Alqi Bllakos. Materiale që kanë shërbyer si bazë në hapjen e hetimit në sferat e larta për çështjen e inceneratorëve.

Lulzim Basha, e regjenca që e ka pasuar në PD, e njeh Prokurorinë Speciale dhe kanë një marrëdhënie interaktive me të. Përveç kësaj, ata votuan për të zgjatur mandatin e organeve të vettingut, i cili ende nuk ka përfunduar punë me armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deri tani kemi pasur dy qëndrime pas aksioneve të SPAK që kanë qenë në një farë mënyrë të forta për publikun.

Kemi pasur arrestime të disa figurave të rëndësishme politike nga mazhoranca, e pas tyre, kryeministri dhe drejteues të PS-së kanë deklaruar se mbështesin drejtësinë dhe nuk mbrojnë asnjë zyrtar që zyrtarisht është nën hetime nga prokuroria.

Nga ana tjetër, kemi pasur raste kur SPAK ka transferuar hetimet për prokuroritë e rretheve, për çështje që kanë përbërë “kalë beteje” të opozitës. Siç është e famshmja dosje 184, e cila më shumë se dosje ishte një USB me përgjime telefonike, që një prokuror i krimeve të rënda në vend që ta hetonte, e dërgoi në selinë e Partisë Demokratike. SPAK u vu nën akuzë se po i shërben qeverisë, akuzë që përdoret rëndom por nuk bën asnjë përshtypje nga “gardianët” e publikut në panelet e darkës.

Megjithatë, ka bërë “lajm” qëndrimi i Edi Ramës në dy forume të larta politike të mazhorancës: në Kongresin e PS-së dhe Asamblenë Kombëtare të Saj. Ku Rama ka dhënë një deklaratë mbi punën e SPAK, i cili konsiderohet “presion” ndaj Prokurorisë Speciale, prej njerëzve të Berishës dhe Metës. Madje disa e quajnë edhe “urdhër”.

Për ta bërë më të qartë panoramën, apo analizën e cilësimit “presion” apo “urdhër”, le t’i referohemi rasteve që vijnë nga eksperienca politike shqiptare.

Më 21 janar 2011, në darkë vonë, përkatësisht pranë mesnatës, Edi Rama, atëherë lideri i opozitës shqiptare doli në një deklaratë shtypi pas publikimit të filmimeve nga gazetari Artan Hoxha, ku shiheshin qartë se 4 qytetarët: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika e Faik Myrtaj, ishin vrarë nga oficerë të Gardës së Republikës.

Rama, në fjalimin e 21 janarit lëshoi thirrjen: “Ku je Ina Rama”! Aso kohe Kryeprokurore e Republikës. Natyrisht shefi i opozitës kërkoi hetim, e natyrisht kërkoi që të hetohen njerëzit që kryen vrasjet, e madje që hetimi të shkojë thellë.

Ina Rama nisi hetimet, por ato u penguan nga qeveria, kryeministri Sali Berisha dhe njerëzit e tij. Nuk u lanë të mblidhnin provat(gëzhoja e shenja plumbash) në oborrin e kryeministrisë, u fshinë të gjitha filmimet që kishin pasur kamerat e kryeministrisë, e nga ana tjetër Kryeministri urdhëroi që zinxhiri komandues i Gardës të mos i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme për tu pyetur. Më pas e cilësoi Kryeprokuroren “lavire bulevardi” dhe e akuzoi për “puç ndaj qeverisë”.

Një rast tjetër? Në tetorin e vitit 2017, kur në Catania të Italisë, Gjykata kishte hapur hetimet ndaj grupit Habilaj, për trafikim kanabisi. Pas publikimit të dosjes, Lulzim Basha, kreu i opozitës, por edhe Sali Berisha, i kërkuan Prokurorit të Përgjithshëm: “të arrestojë urgjent Saimir Tahirin”! Pra nuk kërkuan që edhe në Shqipëri të bëhen hetime mbi çështjen që u hap në Itali, por përcaktuan edhe “masën e sigurisë” që duhet të ndiqej ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Dhe menjëherë pas urdhërit të Lulzim Bashës, Adriatik Llalla, asokohe Kryeprokuror i Republikës, pra kreu i insitucionit që kishte tagrin për të vendosur mbi zyrtarët e lartë, vendosi siç i kishte thënë Lulzim Basha.

Kërkoi “arrest me burg” për Saimir Tahirin, ku e akuzoi “për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Pra një akuzë e rëndë, për të cilën dënohen pjesëmarrësit në organizata mafioze, që përdorin edhe armë, vrasje e shantazhe në operacionet e tyre. Tahiri është i dënuar për një akuzë shumë më të lehtë që ajo për të cilin Llalla i çoi letrat në Kuvend.

Përveç retorikës, “pengimi i drejtësisë” dhe “influencimi i drejtësisë” përbën një rast që ndëshkohet nga Kodi Penal i Republikës. Në të dy rastet e mësipërme jemi në fragrancë në arritjen e këtyre dy shkeljeve.

Sali Berisha, në ndëshkimin e tij me sanksionin “Non Grata” nga qeveria e SHBA, ka edhe akuzën e qartë e të fortë të “pengimit të Drejtësisë”. Pikërisht sepse Berisha dhe qeveria e tij pengoi, duke përdorur kompetencat kushtetuese, punën e një institucioni të pavarur si Prokuroria.

Madje, një vit pas 21 janarit, Sali Berisha zgjodhi Bujar Nishanin si President të Republikës, i cili shkarkoi Ina Ramën si Kryeprokurore dhe emëroi Adriatik Llallën. i cili, të gjitha hetimet për ngjarjet e rënda të Gërdecit apo 21 janarit, por edhe të tjera, i zeroi.

E për ta bërë më të qartë termin “pengim të drejtësisë”, me një precedent ndërkombëtar. Kreu i Prokurorisë Antikorrupsion të Rumanisë, Laura Kovesi, u shkarkua nga mazhoranca qeverisëse, pikërisht kur ajo nisi një aksion të gjerë kundër “Peshqve të Mëdhenj”.

Pas këtij akti të pengimit të drejtësisë, Qeveria e SHBA shpalli “Non Grata” për “korrupsion domethënës dhe pengim të drejtësisë”: Liviu Dragnea, kreun e mazhorancës në Rumani, i cili shkarkoi kreun e “SPAK të Rumanisë”. Draganea më pas u dënua për korrupsion dhe pengim të drejtësisë.

SPAK në Shqipëri është një institucion i dalë nga reforma në drejtësi në Shqipëri. E cila është përkrahur në Kuvend nga votat e mazhorancës aktuale dhe me vullnetin e shtytjen e SHBA e BE. Nga konstituimi i SPAK, mazhoranca nuk ka ndërmarrë asnjë vendim në Kuvend kundër këtij institucioni, por i ka plotësuar edhe kërkesat buxhetore e ligjore.

Edi Rama, në dy fjalimet e tij në forumet e larta të PS-së, ka shprehur qëndrimet politike të mazhorancës për atë që e quan “performancë” të institucionit “thembër e Akilit” e drejtësisë së re.

A mund të quhet presion ky qëndrim? Natyrisht që klasifikohet si i tillë, por deklaratat e Ramës nuk kanë as aksion ligjor apo deklarativ kundër SPAK, aq më pak i shoqëruar me vendime apo akte që konsiderohen “pengim i drejtësisë”.

Natyrisht SPAK, është ditur se do të lundrojë në “syrin e ciklonit” e do të sulmohet majtas e djathtas, sepse nuk i kanë zgjedhur në atë institucion për të nusëruar, por për të kapur “Peshqit e Mëdhenj”; të korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë… (Shqiptarja.com)