Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mori pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të themelimit të Shkollës Profesionale Shqiptare, që sot mban emrin “Instituti Harry Fultz”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, drejtues të institutit, nxënës dhe ish-nxënës.

Në fjalën e saj ministrja Kushi u shpreh se ky institut, i cili ndër vite e ka ndryshuar emrin nga shkolla profesionale në “Politeknikumi 7 Nëntori”, e më pas në “Instituti Harry Fultz”, përfaqëson 100 vite histori të rrallë, cilësi të lartë, kontribut të çmuar në arsimin shqiptar.

Znj. Kushi tha se është vajza e një prej ish-nxënëseve të kësaj shkolle, dhe se nëna e saj flet me vlerësimet më të mëdha, me dashurinë më të madhe për këtë shkollë, një nga krenaritë e formimit të saj profesional dhe qytetar.

Më tej znj. Kushi shtoi se shumë nisma që Ministria e Arsimit i ka aktuale, si ndërkombëtarizimi apo bashkëpunimi me institucione arsimore të huaja, përshtatja e arsimit me nevojat e tregut, shkollën si qendër komunitare, etj. “Harry Fultz” i ka bërë në mënyra të ndryshme shumë vite më parë.
“Diplomat e Harry Fultzit njiheshin prej atëherë. Nxënësit e diplomuar të asaj shkolle pranoheshin edhe në universitetet ndër më të mirat të Evropës dhe të Amerikës. Sot i nxisim të rinjtë dhe të rejat nëpërmjet politikave të ndryshme që ta shohin të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri, ndërkohë që Harry Fultz thoshte “Përpiqu ta bësh Shqipërinë një vend ku ia vlen të jetosh, një Shqipëri moderne”, duke ushqyer nxënësit me dashurinë dhe respektin për atdheun,”- tha ministrja.

Kushi shton se Harry Fultz përfaqëson orientimin perëndimor të Shqipërisë, e jo rastësisht përkon me 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.