Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot përmes një videoje shembullin e një bujku nga Maminasi i Durrësit, i cili pasi është kthyer nga emigrimi ka vendosur t’i kushtohet bujqësisë në tokat e familjes.

Rama thotë se Egliant Tollaku ka përfituar edhe nga skema kombëtare e naftës pa taksa si dhe nga programet e AZHBR-së për investimin e tij të zilin e ka rritur në vetëm 2 vite.

“Respekt! Eglianti 35 vjeç, i kthyer dy vite më parë në vendlindje, në Maminas të Durrësit, vendosi të merrej me bujqësi, ku si përfitues i mbështetjes nga programet e AZHBR dhe Skemës së Naftës pa taksa, ai e nisi me 10 hektarë të marra me qera dhe në këto dy vite e ka shtrirë prodhimin në 37 hektarë të mbjella me varietete të hudhrës, duke punësuar edhe banorë të zonës,” shkruan Rama.

I riu shprehet se puna me tokën për të është pasion i trashëguar nga babai. “Unë jam rritur në fshat vetë deri në moshën 12-vjeçare. Babai im ka qenë i përfshirë për vite në sistemin bujqësor. Të punosh në bujqësi është diçka ndryshe duke harruar zhurmën, rrëmujën, por duke u kujdesur për bimët të jep një ndjesi të veçantë,” thotë ai.

“Dëshira dhe vizioni është për tu automatizuar. Ne kemi 5 punëtorë në vazhdimësi gjatë gjithë kohës por në sezon ky numër rritet deri në 30 persona. Sfida kryesore është që të mos mërzitesh nga dështimet afatshkurtra bujqësia do shumë durim e kohë për të qenë i suksesshëm,” shton më tej Eglianti.