Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shpallur procedurën e konkurrimit për tetë vende vakante për Hetues në Sektorin e Hetimit Financiar.

Nëpërmjet një njoftimi, SPAK thotë këta hetues do të kenë përgjegjësi të kryejnë verifikime të mjeteve financiare dhe pasurive të personave nën hetim dhe të raportojnë rezultatet tek prokurorët e posaçëm kompetentë.

Ndërkohë sqarohet se në momentin e aplikimit kandidatët duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe telekomunikimeve vetjake.

Aplikantët duhet të kenë diplomë në drejtësi, në financë apo në fusha të tjera përkatëse, të lidhura me fushën e hetimeve financiare. Gjithashtu duhet të kenë një eksperiencë pune jo më pak se dy vjet si Oficerë të Policisë Gjyqësore. Të plotësojnë kushtet e sigurisë përpara emërimit në detyrë dhe të kenë plotësuar me sukses procesin e përzgjedhjes sipas procedurës së konkurrimit të organizuar nga Prokuroria e Posaçme. Më pas do ti nënshtrohen përzgjedhjes që përbëhet nga 4 faza.

Afati i aplikimeve dhe dokumentacionit shoqërues përfundon më 12 maj 2022.