Ndonëse më 25 prill kërkoi votën me një logo të re, Rudina Hajdari është rikthyer tashmë në Partinë Demokratike. “Sot kam bërë rianëtarësimin dhe patjetër që mund të themi që jam rikthyer në PD”, tha ajo në studion e Ditarit në A2 CNN. “Unë nuk jam larguar asnjëherë në fakt, sepse u përjashtova, duke qenë se mbajta mandatin. PD-ja ka qenë gjithmonë pjesë e familjes sime, kam një trashëgimi me të. Por ndihem e shqetësuar për të ardhmen e saj”.

Hajdari thotë se përgjegjës për situatën në PD është edhe Sali Berisha, edhe pse sot është rikthyer krah tij në parti. “Berisha ka pasur gjithmonë rol në PD. Ndoshta nëse do të kishte bërë presion që të mos merreshin vendimet që u morën, ato nuk do të ishin marrë. Kështu që mendoj se edhe ai është përgjegjës. Ky është momenti më i rëndësishëm që të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të rikthehen nëse duan që PD-ja të rimarrë pushtetin”.

E pyetur si e sheh të ardhmen e partisë nëse do të drejtohet nga Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, Hajdari tha: “Ky është fakt, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka mbështetje në PD. Kjo nuk duhet të lidhet me fatin e PD-në, përkundrazi, duhet që ne ta shikojmë këtë moment si moment ringritje, riformimi dhe të mblidhemi si grup. Sepse një individ nuk e bën dot partinë. Ndryshimet që ndodhën në statut janë të shëndetshme. I jep pushtetin anëtarësisë dhe ia heq kryetarit”. Sa për ambiciet e saj për të drejtuar PD-në, ajo tha: “Nuk është synimi im kjo gjë. Synimi im është të rivendos kontaktet me bazën, që ishin ndërprerë pas përjashtimit tim”.