Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë ditën e sotme, për të prezantuar hapjen e ciklit vjetor të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës.

Përgjatë gjithë vitit Shqipëria do të organizojë parada kulturore ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 18 vendeve të botës, që do të zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë.

Rama u shpreh se:“ Si viti i parë që nis ky program është i gjithi në një fazë nisjeje, që do të pasurohet në vitet e ardhme, është një eksperiencë krejt e re, prej së cilës do të mësojmë më shumë. Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në organizmin e javëve të tyre kulturore, si Italia, Gjermania e Franca dhe ky organizim i përbashkët i nxjerr këto javë nga suaza e tyre për t’i bërë më të aksesueshme për publikun e gjerë. Është një program që synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat dhe kategoritë të gjejnë arsye për t’i frekuentuar.”

Java e parë është ajo franceze për t’u pasuar me radhë nga vendet e tjera: BE, SHBA, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, e për t’u përmbyllur me Kosovën.

Është konceptuar një program gjithëpërfshirës për mosha e kategori të ndryshme, ku aktivitetet do të shtrihen nga sallat e shfaqjeve, në sheshe për një pjesëmarrje më të madhe.

Në këtë periudhë të vështirë të një lufte që po rëndon tek të gjithë, sot nevojitet më shumë se asnjëherë fryma e bashkëpunimit, andaj organizimi i këtyre javëve jep një mesazh paqeje.

Përmes këtij projekti, Shqipëria do të ketë mundësinë të njohë më mirë kulturën dhe të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.