Pas dy viteve mjaft të vështira për shkak të pandemisë Covid-19, ku industria e kroçierave ishte ndër më të goditurat, këtë sezon veror pritet që ky sektor të kthehet plotësisht. Kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka, tregon se numri i anijeve të mëdha turistike që mund të mbërrijë këtë vit në Durrës janë 20 të tilla, ndërkohë që 17 prej tyre kanë prenotuar tashmë, siç pohon edhe Tauland Allka, kapiten i Portit të Durrësit.

“Industria e kroçerave ka qenë një nga më të goditurat nga pandemia, dhe këto dy vjet kanë qenë në limitet e mbijetesës. Këtë vit me heqjen e kufizimeve do të funksionojnë me 100% dhe do të shtohet edhe numri i vizitorëve në portin e Durrësit”, thotë ai.

Përveç kroçiera në Durrës, pritet të ankorohet edhe një numër i lartë jahtesh dhe velierash, nisur kjo edhe nga kushtet e akostimit dhe shërbimeve të tjera që tashmë ofrohen nga porti i Durrësit. Sakaq, në bregdetin shqiptar është porti i Sarandës ai që ka shënuar deri më tani numrin më të lartë të anijeve turistike që kanë ndaluar në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror.