Papa Françesku bëri thirrje të dielën për paqe në Ukrainë gjatë kësaj “Pashke të luftës”, sic e quajti ai, teksa mbajti fjalimin tradicional ‘Urbi et Orbi’ në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

“Ajo që po na shohin sytë është mosbesuese në këtë Pashkë lufte. Kemi parë shumë gjak, shumë dhunë. Edhe zemrat tona janë mbushur me frikë dhe ankth, siç kanë pasur shumë nga vëllezërit dhe motrat tona të cilët duhet të fshiheshin nga bombardimet”, u shpreh Papa. Ati i shenjtë tha se ai kishte në zemër të gjithë viktimat ukrainase dhe të gjithë ata që janë ndarë nga familjet e tyre .

“Unë kam në zemrën time të gjitha viktimat ukrainase, miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit, familjet e ndara, të moshuarit e lënë vetëm, jetët e thyera dhe qytetet e rrafshuara nga lufta. Unë shoh fytyrat e fëmijëve jetimë duke ikur nga lufta. Ndërsa i shohim nuk mund të mos dëgjojmë britmën e tyre të dhimbje”, u shpreh ai. Edhe pse nuk e përmendi emrin, Papa kritikoi hapur Rusinë për futjen e Ukrainës në një konflikt që ai e quajti mizor e të pakuptimtë dhe u kërkoi udhëheqësve botërorë të përpiqen për paqen.

“Udhëheqësit e kombeve duhet ta dëgjojnë lutjen e njerëzve për paqe. Le të dëgjojnë pyetjen shqetësuese të shtruar nga shkencëtarët pothuajse shtatëdhjetë vjet më parë: A duhet t’i japim fund racës njerëzore, apo njerëzimi do të heqë dorë nga lufta? U bëftë paqe për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, aq e sprovuar nga dhuna dhe shkatërrimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë në të cilën e futën”, shtoi më tej. Rreth 100 mijë njerëz ishin mbledhur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit. Kjo është Pashka e parë që nga viti 2019 që publiku u lejua në shesh për të dëgjuar fjalimin e Papës, pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë së COVID-19.