Phenjani do të shënjestrojë Korenë Jugore me “forcën e saj bërthamore” nëse sulmohet, ka thënë Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit verikorean, Kim Jong Un. Deklarata e saj është publikuar nga media shtetërore të martën, 5 prill. “Në rast se Koreja Jugore synon përballje ushtarake me ne, forca jonë bërthamore do të duhet të kryejë detyrën e vet”, ka thënë Kim Yo Jong, sipas deklaratës së publikuar nga KCNA. Motra e liderit verikorean, zyrtare me ndikim në Partinë Popullore, ka thënë se Koreja Veriore nuk do të niste kurrë e para sulmin, transmeton dpa. “Mirëpo nëse Koreja Jugore, për çfarëdo arsye, synon veprim ushtarak, siç janë masat ‘parandaluese’, të përmendura (nga ministri i Mbrojtjes, Suh Wook), situata do të ndryshojë”, ka thënë ajo. “Në atë rast, vetë Koreja Jugore do të kthehet në shënjestër”.

Të premten, ministri i Mbrojtjes në Korenë Jugore, Suh Wook, ka thënë publikisht se forcat e armatosura të Seulit kanë kapacitet për të sulmuar “me saktësi dhe shpejt” pikën e nisjes së raketave të Phenjanit, në momentin që ka shenja të qarta të ndonjë sulmi në Korenë Jugore. Sulmet verbale të Koresë Veriore kundër anëtarëve të Qeverisë jugkorene nuk janë të pazakonshme. Deklarata e Kim Yo Jong vjen në kohën kur tensionet në rajon janë duke u rritur sërish.

Phenjani ka alarmuar së fundi shtetet fqinje, duke testuar një raketë të re balistike me kapacitet bërthamor. Rezolutat e Kombeve të Bashkuara ia ndalojnë këtij shteti të izoluar testimin e raketave që kanë kapacitet për të bartur koka bërthamore./REL