Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirala Kumbaro në fjalën e saj në Kuvend, reagoi ndaj deputetëve të opozitës që kërkuan rritjen e TVSH-së për hotelet me 5 yje.

Kumbaro tha se, “TVSH-ja 6 % për strukturat akomoduese, nuk është privilegj i hoteleve me 4-5 yje. Është një e drejtë e caktuar në mandatin e dytë. Një lehtësi fiskale e qeverisë Rama në mandatin e dytë, për të gjitha strukturat akomoduese, për të gjitha hotelet apo çfarëdo lloj bujtine që ka këtë tipologji. Prandaj nuk ka kuptim të abuzojmë me fjalët dhe ndoshta me harresën e qëllimshme të politikave fiskale në ndihmë dhe nxitje të turizmit”.

Kumbaro theksoi se, “investitorët strategjikë në hotelet 4 dhe 5 yje, janë investitorë të mëdhenj. Janë punëdhënës të mëdhenj dhe janë perspektivë e një stabiliteti në sektorin e turizmit për të ruajtur vendet e punës. Provën e kemi se ishte po kjo qeveri që përballoi me sukses krizën e pandemisë. Që nuk ishte 1 e 2-mujore, por ishte gati 2-vjeçare dhe vazhdon me pasojat e veta”.

“Dhe ishin pikërisht investitorët e mëdhenj që ruajtën, jo thjesht vendet e punës në sistemin e hotelerisë dhe të turizmit, por edhe kualifikimin e punonjësve të tyre, sepse të gjithë e kuptojmë se ç’do me thënë nëse na largohen, nëse nuk mbahen punonjësit në sektorin e turizmit dhe të hotelerisë”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se, kur ra tërmeti i 26 nëntorit 2019, “ishin po këto hotele që strehuan ata që humbën shtëpitë prej fatkeqësisë natyrore. Ishin po këto struktura hoteliere dhe të sektorit të turizmit që përballuan edhe periudhën e vitit 2020. Një periudhë, e cila në fakt rëndoi dhe dëmtoi turizmin në të gjithë botën, por që tregoi se ishte dhe inovative duke riorientuar tregun dhe duke treguar që nuk u rrëzuan”.

“Janë 93 mijë biznese të vogla, të cilat vazhdojnë ta kenë zero taksën. Një pjesë e madhe e strukturave hoteliere e bizneseve në turizëm, qofshin restorante, qofshin bujtina, apo struktura të tjera akomoduese, janë biznese të vogla”, tha Kumbaro.

“Jo vetëm e kanë zero, por po të kthehemi tek një tjetër kosto që rëndon mbi planbiznesin e tyre, që është çmimi i energjisë elektrike. Sot nga buxheti i shtetit paguajmë një çmim 10 herë më të lartë, për blerje, në importim, sesa një vit më parë. Ndërkohë të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e vogla vazhdojnë të paguajnë njësoj çmimin energjisë, sikur të mos ishim në krizë dhe kjo është pjesë e kësaj pakete dhe përballohet po nga buxheti i shtetit”, tha Kumbaro.

“Kjo është qëndresa sociale, kjo është rezistenca sociale për të mbrojtur shtresën shumë të rëndësishme të biznesit të vogël, ku edhe turizmi zë një vend shumë të rëndësishëm”, theksoi ministrja.