Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi ka zbuluar se kishte mundësi të merrte drejtimin e Italisë, para se drejtuesit në vitin 2016, të zgjidhnin Gianpiero Venturan.

De Biasi tha se kishte biseduar me drejtuesit, por zgjedhja e Venturës nuk i la një shije të mirë.

“Kisha mundësi ta drejtoja kombëtaren italiane, isha në garë me Venturën. Kisha disa biseda me drejtuesit, por më pas u bë një zgjedhje tjetër, që më bëri të ndihem keq”, tha De Biasi.

Ai komentoi edhe sitautën aktuale te kombëtarja italiane, ku tha se Mancini në korrik kur fitoi Europianin ishte hero, ndërsa tani disa e quajnë si budalla.

“Kjo është pjesë e futbollit. Është mirë të shkosh në dasma, por është keq të marrësh pjesë në varrime… Për disa, Roberto Mancini është një budalla sot, por mos harroni se ishte hero korrikun e vitit të kaluar. Kur fitoi Kampionatin Europian, të gjithë e vlerësuan”, perfundoi De Biasi.