Britania nuk e resht ndihmën ushtarake për Ukrainën, përkubndrazi planifikon ta shtojë me “dronë kamikazë”, të cilët godasin objektivin duke u shkatërruar dhe vetë.

Arma e ngjashme me US Switchblade UAV, është praktikisht një bombë fluturuese, e cila kontrollohet në distancë dhe lëshohet qëllimisht drejt shënjestrës. Nga ana tjetër, Londra do të nisë edhe një ngarkesë tjetër me sisteme kundërajrore dhe raketa që mund të përdoren kundër flotës ruse në Detin e Zi.

Kjo lëvizje e saj vjen në kohën kur liderët perëndimorë ranë dakort të rrisin mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, duke përfshirë këtu edhe automjetet e blinduara dhe artilerinë e rëndë. Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.

Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane. Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë kamikazë amerikanë të llojit Switchblade. SHBA-ja thote se do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë.