Është golashënuesi i pestë më i mirë në historinë e Premier League dhe, sipas trajnerit të tij aktual, Antonio Conte, mund të bëhet akoma “më i madh”.

Po flasim për Harry Kane, i cili ka lënë një shenjë të pashlyeshme në kampionatin anglez në moshën 28 vjeç. Megjithatë, për trajnerin e Tottenham-it, qendërsulmuesi mund të bëjë akoma shumë, shumë më shumë.

Gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Aston Villa-s, Conte ka folur edhe për sulmuesin e tij, duke mos i kursyer elozhet.

“Mendoj se Harry ka moshën e duhur për të treguar se mund të bëhet jo vetëm një nga më të mirët në botë, por edhe në historinë e futbollit”, ka thënë trajneri italian.

Dhe akoma: “Ai është në histori që tani sepse ka shënuar shumë gola për klubin dhe për kombëtaren, por ka moshën për të qenë një nga më të mirët në botë. Roli i tij është një numër 9, por mund të jetë njëkohësisht një numër 10 për cilësitë e tij”.

Rritja e sulmuesit anglez është e dukshme në periudhën e fundit pavarësisht një fillimi jo shumë të mirë nën drejtimin e Antonio Conte-s.

“Nuk po kërkoj të përmirësoj cilësitë e tija, por që ta bëj më efikas. Po flasim për një lojtar fantastik, kështu që është shumë e vështirë ta përmirësosh, por po punojmë për ta shtyrë që të ketë ambicien maksimale për t’u bërë sulmuesi më i mirë i mundshëm”.