Eknomia shqiptare po vijon të paraqes një performancë pozitive, pavarësisht krizës globale, ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Të ardhurat totale për tremujorin e parë të këtij viti u realizuan në masën 139 miliardë ose 104.4 % të planit.

Krahasuar me një vit më parë, për të njëjtën periudhë të ardhurat u rritën me 30 miliardë lekë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se vëmendja dhe angazhimi ynë do të jetë për të ruajtur parametrat fiskalë dhe ecurinë pozitive të të ardhurave.

Një ditë më parë, ministrja Ibrahimaj gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Kuvendit hodhi poshtë aludimet e opozitës se rritja e çmimeve ka sjellë rritje të të ardhurave në buxhet. Sipas saj, faktori kryesor është zhvillimi i aktivitetit ekonomik.

Ministrja tha se çmimet ndikuan vetëm me 20 % në rritjen e të ardhurave, ndërsa 80 % e dha rritja ekonomike. Ndërkohë, referuar të dhënave të treguesve fiskal të publikuar sot nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2022, arritën në rreth 117.1 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.3 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.9 % më i ulët ose rreth 1.06 miliard ë lekë më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 3 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 22.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 170.5 % të planit të periudhës prej rreth 13 miliardë lekë.