Qendra Shëndetësore e Shëngjergjit është pajisur me aparatura e medikamente shtesë, falë ndihmës së projektit të ekipit të përbashkët shqiptaro- amerikan të Bashkëpunimit Civilo- Ushtarak. Ky donacion vjen pas një vlerësimi që iu bë situatës gjatë stërvitjes së përbashkët “Defender Europe 2021”. Në ceremoninë e dhurimit, zëvendësministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici shprehu falënderimin për palën amerikane dhe Komandën Evropiane, e cila financoi këtë donacion.

“Kjo është një ndihmë e parë, por duke parë më tej nevojat që ka ky komunitet besoj se në të ardhmen edhe me ndihmën e vyer të Ambasadës amerikane ne do të kemi më shumë për komunitetin tuaj”, iu drejtua ajo banorëve të zonës dhe punonjësve. Nga ana e tij, zëvendësambasadori amerikan Demian Smith tha se kjo ndihmë është një shenjë falenderimi për banorët e zonës dhe Shqipërinë, e cila punoi krah SHBA për suksesin e stërvitjes ‘Defender Europe ‘21”.

“Mbështetja juaj gjatë stërvitjes së përbashkët “Defender 21” ishte vendimtare për suksesin tonë të përbashkët. Kjo ngjarje historike i tregoi edhe një herë botës se Shqipëria është një aleate e pakrahasueshme në mikpritjen e miqësinë e saj. Puna jonë e përbashkët nuk ka përfunduar teksa festojnë 100 vjet miqësi. “Defender ‘21” ishte vetëm fillimi i një rruge të gjatë që kemi përpara. Shqipëria është ofruar edhe një herë për stërvitjen e ardhshme ushtarake, për t’i treguar edhe një herë botës se nuk ka miqësi më të fortë”, u shpreh Smith.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e pranishme në ceremoni falënderoi SHBA për kontributin e dhënë edhe gjatë kohës së pandemisë, duke theksuar se për shëndetësinë gjithmonë ka nevojë më shumë. Pajisjet dhe medikamentet shëndetësore të dhuruara do t’i shërbejnë edhe fshatrave përreth zonës së Shëngjergjit.