Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipëmarrjeve (AAEF) ka reaguar dhe hedh poshte spekulimet pas debateve dhe akuzave të bëra nga palë të ndryshme sa i përket menaxhimit të Parkut të Butrintit.

Nëpërmjet një publikimi zyrtar për mediat, Fondi shqiptaro-amerikan, sqaron se pronësia e parkut të Butrintit do të vijionte të jetë e shtetit shqiptar. Ndër të tjera në komunikatën për shtyp sqarohet se ky fond nuk ishte një organizatë fitimprurëse dhe se investimet që do bëhen do të jenë dhuratë nga populli amerikan.

Deklarata e Plotë:

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipëmarrjeve (AAEF) u krijua në vitin 1995 sipas Aktit të Mbështetjes për Demokracinë e Evropës Lindore (SEED Act), miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në 1989, me një kapital fillestar prej 30 milionë USD. Fondi krijoi dhe investoi në një sërë sektorësh si banka, sigurime, aeroport, karta biometrike identifikimi, etj. Si rezultat i suksesit të tij, në vitin 2009 Qeveria e SHBA vendosi që të gjitha fitimet e krijuara nga Fondi do të shërbenin për të krijuar një organizatë jofitimprurëse, të përhershme të quajtur Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) me synimin për të mbështetur zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të sektorit privat dhe një shoqërie demokratike në Shqipëri nëpërmjet 4 programeve kryesore: Edukim, Lidership, Sipërmarrje, Turizmi Kulturor dhe Ekologjik.

AADF nuk është një sipërmarrje fitimprurëse. Synimi i Fondacioni është përmirësimi i jetës së shqiptarëve nëpërmjet projekteve që ai zhvillon. Të gjitha fondet që ai menaxhon qëndrojnë në Shqipëri si një dhuratë e popullit amerikan ndaj popullit shqiptar. Fondacioni udhëhiqet nga një Bord Administrimi, ku marrin pjesë qytetarë amerikanë dhe shqiptarë, të cilët kontribuojnë me kohën e tyre pa shpërblim. AAEF dhe AADF kanë 27 vjet që operojnë në Shqipëri vetëm në interes të popullit shqiptar. Fondi dhe Fondacioni kanë bashkëpunuar me secilën qeveri shqiptare dhe me cilëndo opozitë. Që nga themelimi në vitin 2009, AADF ka mbështetur 70 projekte dhe ka angazhuar rreth 100 milionë dollarë. Nëpërmjet projekteve të tij, AADF ndihmon mbi 400,000 nxënës e studentë dhe
mbështet pothuajse 1,000 biznese në të gjithë vendin. Projektet arsimore përfshijnë disa nga modelet më të avancuara në botë si Junior Achievement, TUMO, SDA Coding Academy dhe më shumë. Projektet e trashëgimisë kulturore përfshijnë rivitalizimin e qendrave kryesore të qyteteve historike në vend si në Shkodër, Krujë, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës. Projekte të tjera kanë zhvilluar dhe mbështetur instalimin e sistemeve të biletave elektronike në 10 site të trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë, ngritjen e Muzeut Fotografik Kombëtar Marubi, mbështetjen për aplikimin dhe regjistrimin e pesë elementeve të
Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Shqiptare në UNESCO, etj.

AADF ka kontribuar në Parkun Kombëtar të Butrintit që prej vitit 2009. Qëllimi ynë është të mbështesim ruajtjen, promovimin dhe menaxhimin e Butrintit si siti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, institucionet shqiptare, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, Fondacioni ka sjellë një nga modelet më të suksesshme për trashëgiminë kulturore në Butrint. AADF ka kontribuar 1.2 milionë USD për instalimin e kamerave, infrastrukturës turistike dhe tabelave, rehabilitimin mjedisor të rrugës së re, sistemet e biletave elektronike dhe zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar. Falë këtyre ndërhyrjeve Parku ka shënuar rritje të të ardhurave, përmirësim të transparencës, ulje të korrupsionit dhe një cilësi më të lartë shërbimesh.

Faza e dytë e angazhimit të AADF ndaj Butrintit synon të mbështesë dhe të ruaj Parkun në afatin e gjatë. AADF mbështeti hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit (IMP), i cili iu dorëzua për konsultim Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO). Plani u rishikua nga dy organet konsultative të UNESCO, ICOMOS dhe ICCROM, dhe u miratua nga Qeveria e Shqipërisë.

Pronësia dhe kontrollin mbi Butrintin, ashtu si me të gjitha sitet kulturore në Shqipëri, nuk ndryshon. IMP siguron arkitekturën e nevojshme për mbrojtjen e Parkut, promovon transparencën dhe garanton që të ardhurat e krijuara të përdoren për zhvillimin e tij në përputhje me standardet e një siti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Pas miratimit të Planit nga Qeveria e Shqipërisë, AADF do të kontribuojë me 5 milionë USD të tjera, në mënyrë që Parku Kombëtar i Butrintit të njihet: “…si një model i qëndrueshëm menaxhimi për zonat me elementë kulturorë dhe natyrorë, duke u bërë një qendër për ofertën turistike rajonale dhe duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë unike, duke angazhuar komunitetet lokale dhe institucionet financiare, dhe duke shërbyer edhe si model për parqet e tjera në Shqipëri.”

Projekti i Butrintit është një shembull i rëndësishëm se si AADF shërben si katalizator, duke ofruar fonde dhe njohuri për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë duke rritur transparencën dhe ulur korrupsionin nëpërmjet disa prej modeleve më të avancuara të menaxhimit dhe ekspertizës në botë.

Përpos debateve, ka mbërritur në Kuvend projektligji për marrëveshjen e menaxhimit të Parkut të Butrintit. Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan (AADF) themeluan Fondacionin për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, një akord që ka afat 10-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi.Fondacionit i kalon e drejta e shfrytëzimit dhe përdorimit, por jo pronësia. Në projektligj shkruhet se fondacioni detyrohet të respektojë klasifikimin si pasuri kulturore, por mund të kryejë ndërhyrje ruajtëse dhe mbrojtëse. Ndërsa tarifat për hyrjen e publikut do jetë nga 7 deri në 11 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes.