Bota po përballet me një “katastrofë njerëzore” nga rritja e çmimeve të ushqimeve pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Paralajmërimi vjen nga presidenti I Bankës Botërore, David Malpass. Në një intervistë për BBC, ai tha se kjo situatë me këto çmime rekord do të zhysë miliona njerëz në varfëri.

“Është një katastrofë njerëzore, që nënkupton se ushqimet do mungojnë. Por do të shndërrohet edhe në një sfidë për qeveritë, të cilat nuk mund të bëjnë asgjë për të, pasi nuk e kanë shkaktuar dhe po shohin çmimet të rriten”, tha David Malpass, president i Bankës Botërore.

Banka Botërore vlerëson se mund kemi një rritje të madhe prej 37 përqindësh në çmimet e ushqimeve. Të varfrit do të goditen më rëndë nga kjo krizë dhe do të kenë më pak ushqime dhe para për gjëra të tjera, përfshirë shkollimin. Maplass tha se rritja e çmimeve po prekë të gjitha llojet e ushqimeve duke nisur nga vaji e deri te drithërat. Ai shtoi se ka mjaftueshëm ushqim në botë për t’i ushqyer të gjithë dhe rezervat globale janë tepër të mëdha, por nënvizoi nevojën për një ndarje apo shitje të barabartë për të dërguar ushqim aty ku nevojitet më së shumti.

Ukraina dhe Rusia janë dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit dhe drithërave të tjera, por lufta ka ndërprerë prodhimin. Kjo ka bërë që çmimet të rriten, mes një mungesë të konsiderueshme në furnizime pasi dy vendet e përfshira në konflikt mbulojnë çerekun e tregut global me drithëra. India është vetëofruar të mbulojë boshllëkun në eksporte, teksa ofron dhe çmime shumë të lira. Megjithatë nuk është e sigurtë nëse ky shtet mund të shpëtojë botën nga kriza pasi ky ishte një vit jo pozitiv për të korrat.