Granit Xhaka i ka kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës. Futbollisti kosovar më me ëndje e kujton ndeshjen me Serbinë, e cila ishte speciale për të dhe për shqiptarët e Zvicrës. Dhe, pikërisht ai dhe Xherdan Shaqiri, me golat e tyre, e kishin vendosur fitoren e Zvicrës ndaj serbëve në Botërorin e Rusisë. E futbollisti i Arsenalit këtë ndeshje e ka konsideruar si më emocionuesen në karrierën e tij.

“Ajo ndeshje ishte më emocionuesja, më prekësja e karrierës sime”, deklaroi Xhaka për “Keystone-ATS”. Gjithashtu, ai e kujtoi edhe fitoren ndaj Francës verën e kaluar në Euro 2020.

“Sigurisht, kur e eliminon kampionin e botës, e kupton se mund të arrish gjëra të mëdha. Fatkeqësisht, suksesi nuk na shoqëroi në çerekfinale, por Evropiani i fundit mbetet turneu më i bukur deri tash”, vazhdoi Xhaka. Ndërkohë, si kujtim të keq ai e ka dështimin në vitin 2016 në duel me Poloninë. Xhaka do t’i zhvillojë ndeshjet numër 99 dhe 100 kundër Anglisë dhe Kosovës këtë muaj. Ai ndihet i lumtur, por nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi synon të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në Kombëtaren e Zvicrës.

“T’i luash 100 ndeshje për vendin tënd është nder, por vetëm fakti i veshjes së fanellës së Kombëtares është tashmë një nder”, nënvizoi ai. “Sot më duhet t’i falënderoj prindërit e mi për mbështetjen që ma kanë dhënë, shokët e skuadrës dhe stafin po ashtu. Unë jam vetëm 29 vjeç. Dua ta thyej rekordin e paraqitjeve, të cilin e mban Heinz Hermann”, përfundoi Xhaka.

Hermann në fakt i kishte zhvilluar 118 ndeshje me Zvicrën, ndërsa Xhaka në fund të këtij muaji do ta shënojë numrin jubilar prej 100 ndeshjesh, sa i ka aktualisht edhe Xherdan Shaqiri.