Pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin ishte para së gjithash, një krim. Por ishte gjithashtu edhe një gabim. Në më pak se pesë javë Putin ka shkatërruar reputacionin ushtarak të Rusisë, ka goditur ekonominë e vendit të tij dhe ka forcuar aleancat demokratike që ai shpresonte të minonte.

Si mund të bënte një gabim kaq katastrofik?

Një pjesë e përgjigjes, qëndron tek sindroma e të fortit: Putini është i rrethuar nga njerëz që i thonë atë që ai dëshiron të dëgjojë. Të gjitha të dhënat në fakt na tregojnë se ai pushtoi Ukrainën duke i besuar propogandës së tij për aftësitë ushtarake të ushtrisë së tij ashtu edhe për gatishmërinë e ukrainasve për t’iu nënshtruar sundimit rus.

Por ka gjithashtu arsye të tjera për të menduar se Putini, si shumë prej admiruesve të tij në Perëndim, mendonte se demokracitë moderne nuk ishin mjaftueshëm të forta për të rezistuar.

Dhe këtu nis e gjithë problematika.

Kur shikoj Shtetet e Bashkuara, shqetësohem se Perëndimi, në fakt, po dobësohet nga dekadenca – por jo ai lloji që ka fiksuar Putinin dhe ata që mendojnë si ai. Cenueshmëria jonë nuk vjen nga rënia e vlerave tradicionale të familjes, por nga rënia e vlerave tradicionale demokratike, si besimi në sundimin e ligjit dhe gatishmëria për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve.

Natyrisht, ideja se imoraliteti shkatërron fuqitë e mëdha ka ekzistuar për shekuj me radhë. Në versionin hollivudian të historisë, Perandoria Romake u shkatërrua sepse elitat e saj ishin shumë të zënë me orgji për të mposhtur barbarët.

Në fakt, koha nuk përshtatet më këtë histori, por unë do t’i rikthehem për të kuptuar situatën që po ndodh sot.

Tucker Carlson paralajmëroi se ushtria e Kinës po bëhej “më mashkullore” ndërsa e jona po bëhej “më femërore, çfarëdo që nënkupton fjala femërore për ta. Senatori Ted Cruz postoi një video që krahasonte një video të rekrutimit të Ushtrisë Amerikane me pamjet e një parashutisti rus “qeros”.

Do të ishte interesante të dinim se çfarë ka ndodhur me atë parashutist që kur Putin pushtoi Ukrainën, raporton abcnews.al.

Të gjithë e dinë, të paktën kushdo qe ka studiuar historinë se luftërat moderne fitohen nga guximi dhe qëndrueshmëria fizike dhe morale por gjithashtu janë të rëndësishme edhe gjërat e zakonshme si logjistika, mirëmbajtja e automjeteve dhe sistemet e komunikimit.

Gjithashtu më duhet të përmend se ngjarjet e fundit kanë konfirmuar gjithashtu besnikërinë që shumica e burrave nuk e kanë. Përgjigja e Putinit ndaj dështimit në Ukrainë ka qenë e ngjashme me reagimet e Trump: këmbëngulja se pushtimi i tij po shkon “sipas planit”, duke refuzuar të pranojë se ka bërë ndonjë gabim, është e ngjashme me refuzimin e Trump për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

Madje ai mund të publikojë edhe hartat e betejës të modifikuara.

Por le të flasim për dekadencën pasi ajo në të vërtet ka rëndësi.

Perandoria romake bëri të mundur që disa njerëz të jetonin në luks dhe homologu më i afërt modern i asaj elite do të ishin oligarkët rusë. Por Roma ruajti integritetin e saj territorial dhe efektivitetin ushtarak për shekuj pas shfaqjes së asaj elite të përkëdhelur.

Por çfarë shkoi keq?

Historianët kanë shumë teori, por sigurisht një faktor i madh ishte erozioni i normave që ndihmuan në vendosjen e legjitimitetit politik dhe gatishmëria gjithnjë në rritje e disa romakëve, veçanërisht pas rreth vitit 180, për të përdorur dhunën kundër njëri-tjetrit.

Është e qartë se ajo që po ndodh sot në SHBA nuk ka asnjë ngjashmëri me problemet e botës antike. Megjithatë, në ditët e sotme nuk kalon asnjë muaj pa zbulime të mëtejshme se një pjesë e madhe e trupit politik të Amerikës, duke përfshirë shumë anëtarë të elitës politike, ndjejnë përbuzje për parimet demokratike.

Është e pabesueshme se sa shpejt e kemi harruar faktin që presidenti i fundit u përpoq të mbante pushtetin pavarësisht humbjes së zgjedhjeve dhe se një turmë që ai nxiti sulmoi Kapitolin. Shumë njerëz morën pjesë në përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet – mes tyre, gruaja e një gjyqtari në Gjykatën e Lartë, raporton abcnews.al.

Dhe ndërsa përpjekja e Donald Trump për të qëndruar në pushtet dështoi, shumica e partisë së tij, në fakt, e ka mbështetur përpjekjen e tij.

Pse është kjo e rëndësishme për Ukrainën?

Putini vuri në fakt një bast se Perëndimi do të mbështeste pushtimin e tij. Në vend të kësaj, Presidenti Biden mobilizoi në mënyrë shumë efektive një aleancë demokratike për të ndihmuar Ukrainën dhe për të dënuar agresorin.

Por kur të ndodhë sërish diçka e tillë, Amerika mund të mos udhëheqë një aleancë efektive të demokracive, sepse ne vetë do të kemi hequr dorë nga vlerat demokratike.

Dhe nëse do të më pyesni mua, kjo është kuptimi i vërtetë i dekandencës./ Përktheu: abcnews.al