Transferimi i tij në janar bashkë me Rodrigo Bentancur te Tottenham, për një shifër të përgjithshme 65 milionë euro, është vlerësuar shumë brenda shtëpisë së Juventus-it, duke përfshirë edhe tifozët.

Megjithatë, duket se lamtumira e Kulusevski-t ka bërë të pendohen disa tani.

Kjo për shkak të paraqitjeve të mira që po dhuron suedezi me ekipin e Conte-s. Në gjashtë ndeshje të luajtura, katër prej të cilave si titullar, kanë ardhur dy gola dhe tre asiste.

Një gol kundër Leeds, dy asiste kundër Everton-it, në dy ndeshjet e fundit të Premier League. Dy paraqitje këto që kanë bërë të shpërthejnë kritikat kundër Massimiliano Allegri-t në rrjetet sociale.

Trajneri i Juventus-it nuk i ka dhënë shumë mundësi lojtarit te bardhezinjtë.

“E keni parë Kulusevski-n në Premier League? Allegri dhe drejtuesit duhet të fshihen”, ka qenë një nga komentet më të ashpra në rrjetet sociale.

Trajneri akuzohet se i penalizon shumë lojtarët e rinj: “Është vdekja për ata. Dybala është afër largimit, Kean është një fantazmë, kam frikë se Vlahovic do të ketë të njëjtin fund”, ka qenë një mesazh tjetër.