NATO pret që luftimet dhe emergjencat humanitare në Ukrainë të intensifikohen më tej, rreth dy javë pas fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt. “Ne po shohim me tmerr rritjen e numrit të viktimave civile dhe shkatërrimin e pakuptimtë nga forcat ruse. Populli i Ukrainës po reziston me guxim dhe vendosmëri, por ditët në vijim kanë të ngjarë të sjellin një shqetësim edhe më të madh”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që t’i japë fund kësaj lufte, të tërheqë të gjitha forcat dhe të angazhohet në diplomaci. Stoltenberg hodhi poshtë pretendimet e qeverisë ruse se Shtetet e Bashkuara kishin ngritur fshehurazi laboratorë në Ukrainë për prodhimin e armëve biologjike. “Tani që këto akuza të rreme janë bërë, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë sepse është e mundur që vetë Rusia mund të planifikojë misione të armëve kimike pas ketyre gënjeshtrave. Ky do të ishte një krim lufte”, tha ai.

Stoltenberg hodhi poshtë thirrjet te cilat i kerkojnë NATO-s të vendos një zonë të ndaluar fluturimi në hapësirën ajrore në Ukrainë. “Kjo do të ishte një sulm ndaj forcave ruse. Dhe kjo do të rrezikonte një konfrontim të drejtpërdrejtë dhe një përshkallëzim të pakontrolluar të konfliktit. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte dhe jo ta zgjerojmë atë”, theksoi ai. “NATO është një aleancë mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë konflikt me Rusinë”, tha Stoltenberg.