“S’mund të kemi turizëm pa një mjedis të pastër”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Gjirokastër, ku po kryhet rehabilitimi i venddepozitimit të mbetjeve. Në një sipërfaqe rreth 15 mijë metra katrorë, për mbi tridhjetë vite, mbetjet janë depozituar në këtë zonë që është shumë pranë qendrës së qytetit, duke u kthyer në një problem të rëndë mjedisor. E shoqëruar nga kryebashkiaku, Flamur Golemi dhe ekspertët e GIZ që po asistojnë projektin, Kumbaro sqaroi se me hapjen e rrugës së re Kardhiq-Delvinë, mbetjet e Gjirokastrës do të depozitohen në landfillin e Bajkajt. “Kjo është çfarë Gjirokastra prodhon dhe ne s’mund të kemi Gjirokastrën e UNESCO-s dhe Gjirokastrën e turizmit pa Gjirokastrën që menaxhon këto mbetje. Gjirokastra është qytet i botës, jo vetëm i Shqipërisë, prandaj nuk mund të zhvillojmë turizmin dhe të promovojmë Gjirokastrën, ndërkohë që kemi një plagë të tillë mjedisore. Kjo është faza e parë. Faza tjetër paralele është edukimi i qytetarëve që të mos i hedhin mbetjet lart e poshtë por vetëm në kosha dhe të ndara”, u shpreh Kumbaro, duke kujtuar gjobitjen e 16 familjeve në lagjen Dunavat për hedhje të mbeturinave në territor.

Kumbaro po ashtu bëri thirrje që mbetjet organike të kompostohen. “Nuk ka kuptim që mbetjet e gjelbra që dalin nga arat, nga kopshtet, nga bahçetë të vijnë të gjitha këtu. Ato duhet të kompostohen, të mbeten në vend. Ky mali i plehrave që është këtu do të dhjetëfishohet duke qenë se shtohet konsumi dhe turistët. S’mund t’ia dalim duke hedhur gjithçka në plehra”, tha Kumbaro. Ministrja tha se me plotësimin e hartës me pika fundore të trajtimit të mbetjeve, është domosdoshmëri ndarja në burim për riciklimin e mbetjeve. Kjo gjë do të ndihmojë në uljen e vëllimit të mbetjeve që shkojnë në pikat fundore. “Kemi kërkuar rritjen e zërit të pastrimit në buxhetin e çdo bashkie këtë vit. Do të jetë një vit i kthesës në menaxhimin e mbetjeve në gjithë vendin. Por është një luftë shumë e gjatë, luftë që nuk e kemi bërë për 30 vite, luftë që po e bëjmë tani”, shtoi Kumbaro.

Kryebashkiaku Golemi tregoi se ky është një investim i shumëpritur në zonë. “Një problem i kahershëm i qytetit, sepse flasim për një qytet që pret mbi 100,000 turistë në vit dhe gjithmonë e më tepër numri rritet. Kështu rritet edhe konsumi. Vetëm për pjesën e qytetit, kemi 16-18 ton mbetje në ditë. Ne e shohim tani, por gjatë verës është e padurueshme të qëndrosh këtu. Është një zonë shumë problematike”, tha gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Kohëzgjatja e punimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, bashkisë Gjirokastër dhe GIZ për rehabilitimin e kësaj zone parashikohen 12 javë, për të qenë gati brenda fillimit të muajit maj që shënon edhe nisjen e sezonit turistik.