Trajneri i Lazio-s, Maurizio Sarri, ka zbuluar më në fund të vërtetën në lidhje me refuzimin e Cristiano Ronaldo-s për të luajtur si qendërsulmues tek Juventus-i, një problem që duket se është krijuar edhe te Manchester United.

Pas fitores 3-0 të Lazio-s kundër Cagliari-t në kampionat, Sky Sport Italia e ka pyetur teknikun që të flasë në lidhje me zërat që kanë folur për një marrëdhënie të vështirë të CR7 me trajnerin.

A ishte e vërtetë se Sarri i ka kërkuar Cristiano Ronaldo-s që të luajë si qendërsulmues për Juventus-in dhe ai ka refuzuar?

“Cristiano ka shënuar më shumë gola në Serinë A në sezonin që ka luajtur me mua se në asnjë tjetër”, ka thënë Sarri.

“Ai ka qenë i gatshëm të luante në qendër të sulmit në disa ndeshje kur ne ishim në emergjencë, por nuk i pëlqente ta bënte këtë rregullisht.

“Në ato situata mund të cenosh vetëbesimin e lojtarit. Ronaldo ka shënuar 35-40 gola në sezon duke u nisur nga krahu, kështu që ishte një kërkesë absurde për atë. Është e kuptueshme për mënyrën si luan ai”.

Ronaldo ka luajtur 46 ndeshje nën drejtimin e Sarri-t tek Juventus dhe ka shënuar 37 gola në total. Në sezonin 2019-20, CR7 ka shënuar 31 gola në 33 ndeshje të Serisë A, bashkë me tetë asiste.