Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka pezulluar nga detyra drejtorin e Zyrës Arsimore Divjakë dhe drejtorin e shkollës “Mihal Nako” në Fierseman, pasi një nxënës me aftësi ndryshe nuk u lejua të shkonte në shkollë.

Rasti i Emiliano Liçit u denoncua nga një emision investigativ, ndërsa Ministria e Arsimit njofton se pezullimi është bërë pas hetimeve paraprake dhe se është ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës. Liçi do rikthehet në bankat e shkollës nga dita e nesërme, ndërsa ishte mësuesi ndihmës i tij që ngriti këtë shqetësim.

Reagimi i plotë i Ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi:

Pas denoncimit nga emisioni “Stop” në TV Klan të rastit të nxënësit Emiliano Liçi, i cili nuk është lejuar të vazhdojë frekuentimin në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Mihal Nako” në Fierseman, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, pas verifikimeve paraprake, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të drejtoreshës së shkollës dhe drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Divjakë.
Ndërkohë, nxënësi Emiliano Liçi do të kthehet menjëherë në bankat e shkollës, që nga dita e hënë 28 Mars 2022, pas kryerjes së të gjitha procedurave përkatëse nga ana e shkollës, në bashkëpunim edhe me mësuesin ndihmës, punonjësin e shërbimit psiko-social dhe familjen, me qëllim që Emiliano të ketë të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e duhur.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kanë ngritur menjëherë një grup pune të përbashkët për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.
Nga ana tjetër, që nga muaji janar Ministria ka ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, duke ofruar shërbim më profesional dhe të plotë për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u përshtatur edhe me eksperiencat më të mira të vendeve evropiane. Parashikohet që këto ndryshime, pasi të konsultohen me të gjitha grupet e interesit, të finalizohen me miratimin në Parlament brenda vitit 2022.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke falënderuar denoncimin e këtij rasti, shpreh angazhimin për të ndjekur dhe zgjidhur me vendosmëri çdo problematikë të hasur në institucionet tona arsimore, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe respektimin e ligjit nga të gjithë.