Piloti i ri gjerman Mick Schumacher, pas aksidentit të frikshëm që pësoi dje në pistën e Jeda, nuk do të marrë pjesë në garën që zhvillohet sot në mbrëmje. Makina Haas e pilotit 23-vjeçar u shkatërrua plotësisht pas përplasjes me barrierat mbrojtëse me shpejtësi 200km/orë.

Momente paniku, por piloti ishte koshient dhe u dërgua për kontrolle mjekësore në spital. Nuk pati asnjë komunikim me pilotin për disa minuta, deri sa erdhën komisarët, pasi radioja e njëvendëshes së pilotit gjerman ishte prishur pas impaktit të fortë që pati makina e tij.

Vetë piloti, ka postuar një mesazh në rrjetet sociale nga spitali. “Përshëndetje të gjithëve. Dua t’ju informoj se jam mirë. Ju falënderoj për mesazhet. Makina ishte fantastike. Do të rikthehemi më të fortë”, ka qenë mesazhi i Mick Schumacher, që pas aksidentit ka komunikuar edhe me familjen e tij, në ankth.