Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin e njohur Gulielm Radoja, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Kujtojmë sot aktorin Gulielm Radoja, artist i niveleve ndërkombëtare”, tha Margariti.

Gulielm Radoja u lind më 2 korrik 1945 në Shkodër. Ai u shkollua për dramaturgji dhe filloi fillimisht punë si aktor në teatrin e Librazhdit, ndërsa më tej iu dha mundësia të angazhohej edhe si regjisor në Fier dhe Durrës.

Krahas interpretimeve të spikatura në teatër, Radoja pati një veprimtari të shkëlqyer edhe në kinematografi ku interpretoi në rreth 40 filma nga viti 1970 deri në vitin 2019. Nga filmat mbetet i paharrueshëm në interpretimet me rolet e Stefan Bardhit te “Mësonjëtorja” (1979), Petro Nini Luarasit te “Kush vdes në këmbë” (1984) apo roli i Albertos te “Gjeneral Gramafoni” (1977).

Për veprimtarinë e shkëlqyer artistike ai qe nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Radoja u nda nga jeta në 5 maj 2021 në moshën 75-vjeçare pasi u prek nga COVID-19.