01 Mars, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të programit të MSHMS për të vizituar familjet në nevojë që mbështeten nga programe të mbrojtjes sociale dhe përfitojnë ndihmën ekonomike, ka takuar nga afër familjen e Lorenca Bajramit në Tiranë, e cila përfiton nga dyfishimi i pagesaës së Ndihmës Ekonomike. Manastirliu shkruan se janë 15 mijë familje me më shumë se 3 fëmijë që përfitojnë nga dyfishimi i NE me buxhetin e 2022.

“Për Leorencën dhe tre vajzat e saj të mitura, muaji shkurt ka sjellë në familjen e tyre dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike, një mbështetje më shumë falë politikës sonë të rritjes së pagesës së ndihmës ekonomike në mënyrë progressive për familjet më në nevojë. Si familja e Leorencës, janë mbi 15 mijë familje me +3 fëmijë deri në 18 vjeç, përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, të cilat përfitojnë nga dyfishimi i pagesave. #MbështetjedhePërfshirjeSociale #FëmijëtTëParët”, shkruan Manastirliu.

Familja e Lorencës aktualisht jeton në një apartament 1+1 dhe përfiton skemën lehtësuese të mbështetjes së bonusit të qërase në masën 20.000 lekë dhe të ndihmes ekonomike pas dyfishimit të saj.

Rreth 68 mijë familje kanë marrë përfitimin e masës së rritur të ndihmës ekonomike, e cila hyri në fuqi në janar 2022. Eshtë rritur me 10% ndihma ekonomike për të gjithë familjet që janë pjesë e skemës. Eshtë dyfishuar masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje përfituese të kësaj skeme, të cilat kanë mbi 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Eshtë trefishuar masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Për programin e ndihmës ekonomike buxheti është rritur me rreth 15 milionë dollarë.