Tetë civilë, mes tyre dy fëmijë janë vrarë ditën e sotme nga bombardimet e trupave ruse në Irpin, një lagje në perëndim të Kievit.

Kryebashkiaku Oleksandr Markushyn në një deklaratë, tha se rusët hapën zjarr gjatë një misioni evakuimi.

“Një familje vdiq, para syve më vdiqën dy fëmijë të vegjël dhe dy të rritur.”- tha ai.

Videoja nga vendi i ngjarjes tregoi civilët që lëviznin nëpër postbllokun përpara se të ndodhte një shpërthim, në një udhëkryq që dukej se ishte shkaktuar nga një predhë.

“Irpin është në luftë, Irpin nuk është dorëzuar,” tha Markushyn. “Një pjesë e Irpin u kap vërtet nga pushtuesit rusë, por një pjesë e Irpin po lufton dhe nuk dorëzohet”. Markushyn tha se një tjetër evakuim do të fillonte nesër në mëngjes.